Të hënën e 24 prillit, Policia e Kosovës e ka identifikuar një lokal në Skenderaj ku organizoheshin lojërat e fatit dhe lidhur me këtë është intervistuar një i dyshuar.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga Policia e Kosovës.
“Nën dyshimin e bazuar për ushtrimin e veprimtarisë së kundërligjshme ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, në orët e mbrëmjes së datës 24 prill 2023, hetuesit policor në rrugën “Gjon Buzuku” në Skenderaj, kanë identifikuar një lokal ku ushtrohej veprimtari e lojërave të fati”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, në lokalin ku dyshohej për veprimtari të dyshimtë, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar: televizor, shtëpiza të kompjuterëve dhe materiale të tjera që mund të shërbejnë si dëshmi për rastin në fjalë.
“Lidhur me rastin në cilësi të të dyshuarit është intervistuar një person i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt”.
Ndërsa hetuesit policorë janë duke vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore.