Ideologjia gjenocidale e Serbisë “prodhon destabilizim”; Si bëhet “kombinimi” KFOR-FSK në rast sulmi serb siç paralajmëroi Clark

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, paralajmëroi se Serbia mund të veprojë sipas urdhrave të Rusisë, duke rrezikuar destabilizimin e Ballkanit. Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, mbështeti këtë vlerësim, duke theksuar se ideologjia gjenocidale e Serbisë vazhdon të jetë një kërcënim. Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, theksoi se rreziku i një konflikti të ri është real dhe mund të kërkojë ndërhyrjen e forcave ndërkombëtare.

“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan. Serbia është dora e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave të Rusisë”.

Kështu deklaroi në një intervistë për CCN ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, i cili paralajmëroi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq mund të veprojë sipas urdhrave të Putinit, duke përdorur forcat serbe në Kosovë dhe duke kërkuar ndarjen e Bosnjës për të krijuar një “Serbi të madhe”.

“Konstatim logjik” e ka quajtur këtë paralajmërim të Clarkut njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, pasi vetëm konflikte dhe eskalime krijon ideologjia gjenocidale, të cilën Serbia nuk ka reshtur së kultivuari.

E vetëm faktori ndërkombëtar e mbanë shfrenimin serb për të “gllabëruar” Bonjë e Hercegovinën, Kosovën e Malin e Zi, potencon Kajtazi.

“Pavarësisht bombardimit 78 ditësh të Serbisë nga NATO, aty nuk ka pushuar së kultivuari ideologjinë e Gjenocidit. Dëshmia më e freskët e kësaj është mënyra se si Serbia reagoj ndaj rezolutës së OKB për gjenocid në Srebrenicë. Si rrjedhojë, ideologjitë prodhojnë platforma veprimi, dhe në rastin konkret platforma destabilizimi.

Atë që gjenerali Clark e ka pohuar, është një konstatim logjik nga ajo se çfarë prodhon kjo ideologji dhe nga gjendja në teren.

Për të qenë më konkret, shfrenimin e serishëm serb e mbanë vetëm frenimi i bashkësisë ndërkombëtare të grupuar në NATO, për ndryshe, kapacitetet ushtarake dhe ekonomike të vendeve që Serbia i ka futur në objektiv për t’i gllabëruar (Bosnja dhe  Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe ndoshta edhe Shqipëria Veriore), lënë shumë për të dëshiruar për ta përballuar këtë ekspansion eventual. E vetëdijshme për këtë, Serbia e ndihmuar nga Rusia, është duke aplikuar metoda hibride ndaj këtyre vendeve me qëllim që t’i destabilizoi nga brenda, që në rast të krijimit të situatave kaotike, si rrjedhojë e zhvillimeve globale, të ketë pretekst për të intervenuar ushtarakisht”, ka thënë Kajtazi në një bisedë me Dukagjinin.

Deklarimet e Clarkurt i ka komentuar edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas tij, rreziku ekziston dhe në rast në ekskalimit të një konflikti mundshëm të bëhet një kombinim në mes të KFOR-it, EULEX, NATO, Policia së Kosovës dhe FSK-së.

“Clark nuk është në detyrë, ai është i pensionuar. Natyrisht ka informata dhe është specialist i fushës. Dhe ka kapërcyer situata duke përfshirë edhe Kosovë, ka qenë komandant i të gjitha forcave të NATO-s kur është sulmuar Serbia. Sidoqoftë deklarata e Clarkut janë të njëjta me ato që i thashë edhe unë apo që i kam thënë në të kaluarën. Rreziku ekziston por mendoj që edhe NATO ka marrë masat e veta, duke u përforcuar… edhe FSK-ja, edhe pse s’ka të drejtë të shkojë në veri ka një sasi të caktuar t armatimit dhe unioneve. Duke përfshirë këtu edhe Policisë e Kosovës. Kombinimi KFOR, EULEX dhe Polici e FSK në situatë të rrezikshme mund të bëhet, në qoftë se ka vullnet politik. NATO pa udhëzime politike nuk vepron”, ka thënë Haliti në “FIVE” të Dukagjinit.

Kajtazi, thekson se që nga paslufta, Serbia ka përdorur shërbimet e saj inteligjente për të zhvilluar një luftë hibride kundër Kosovës. Sipas tij, kjo strategji synon të pengojë konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe ta fusë atë në konflikt me Perëndimin

“Në rastin e Kosovës, që nga paslufta, shteti serb, përmes shërbimeve inteligjente është duke zhvilluar luftë hibride sipas metodës ‘duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza’, e cila si synim ka që Kosova të mos konsolidohet si shtet dhe të futet në konflikt me perëndimin. Nga ajo që është e prekshme në teren, fatkeqësisht, serbët ja kanë arritur që ta shkaktojnë këtë efekt dhe si rezultat i këtij efekti, kemi rritjen e aktiviteteve subversive në drejtim të Kosovës”, ka shtuar Kajtazi.

Më tej në ai thekson se situata e sulmit në Banjskë tregon se Serbia nuk është ndëshkuar nga SHBA dhe BE, ndërsa Kosova ka mbetur nën sanksione, për shkak të politikës së saj oportuniste dhe konflikteve me Perëndimin.

Kajtazi sugjeron se siguria e Kosovës nuk do të varet nga armatosja ushtarake, por nga marrëdhëniet me aleatët dhe integrimi i shpejtë në NATO, gjë që aktualisht duket e largët për shkak të veprimeve të qeverisë.

“Para gjashtë viteve as që do të ishte imagjinuar një rast sikur ai Banjska e Serbia të mos ndëshkohej nga SHBA dhe BE, kurse Kosova të mbetet në sanksione. Kjo është si pasojë e politikës oportuniste të qeverise së Kosovës, e cila është futur në konflikt me perëndimin. Në një formë, veprimet terroriste në Banjska, bashkësia ndërkombëtare po i konsideron faj të qeverisë së Kosovës.

Tani se sa do të jetë e sigurt Kosova, nuk do të varet nga armatosja e ushtrisë, por, kryesisht nga marrëdhëniet me aleat dhe kjo nënkupton integrim sa më i shpejt në NATO, që, nga kjo që po shohim, nga mënyra se si qeveria jonë po vepron në raport me partnerët, rruga për te kjo portë është e largët”, ka shtuar ai.

Për fund Kajtazi ka theksuar se mungesa e njohurive dhe qasja folklorike në çështjet e sigurisë u bë e qartë me rastin e fundit kur klasa politike dhe një pjesë e madhe e opinionit publik u mahnitën nga fakti se presidenti serb Vuçiq përmendi orën dhe datat kur dronët kosovarë u ngritën nga aeroporti i Gjakovës.

Sipas Kajtazit, askush nga Ministria e Mbrojtjes nuk tregoi se Serbia zotëron sistemin raketor FK-3

“Se sa të paditur dhe folklorik jemi në këto çështje, dëshmon rasti i para disa ditësh, kur klasa politike që qeverisë vendin dhe një pjesë e madhe e opinionit u krekos me lajmin se Vuçiq përmendi orën dhe datat kur dronët kosovar ngritën nga aeroporti i Gjakovës. Askush nga kompetentët e Ministrisë së Mbrojtës nuk mori mundin të tregoj së Serbia posedon sistemin raketor FK-3, i cili ka radar që e identifikon fluturaken në distancën 250 kilometra, dhe e godet nga distanca 100 kilometra”, ka përfunduar Kajtazi për Dukagjinin.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika