IFJ: Një gazetar vritet mesatarisht çdo ditë në luftën Izrael-Hamas

Kreu i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Anthony Bellanger, ka njoftuar se rreth 60 gazetarë janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të dyja palët, gjatë bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës dhe sulmeve të Hamasit në Izrael

Një gazetar ose punonjës i medias vritet mesatarisht çdo ditë në luftën Izrael-Hamas, tha të hënën kreu i i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ), duke e bërë këtë konflikt të pakrahashueshëm me asnjë tjetër më parë për sa i takon pasojave te media.

Rreth 60 përfaqësues të mediave janë vrarë qëkur filloi lufta më 7 tetor, duke iu afruar numrit të gazetarëve të vrarë gjatë gjithë Luftës së Vietnamit gjysmëshekulli më parë që zgjati për dy dekada.

Luftërat e tjera brutale në Lindjen e Mesme as nuk i janë afruar intensitetit të asaj aktuale.

“Në një luftë tradicionale si për shembull ato në Siri, në Irak, në ish-Jugosllavi, nuk kemi parë këtë lloj masakre,” tha sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Anthony Bellanger, në një intervistë për agjencinë Associated Press.

Dhe qëkur skadoi armëpushimi njëjavor në Gaza të premten, humbjet kanë vazhduar tha ai:

“Për fat të keq, morëm lajmin e keq këtë fundjavë që pas përfundimit të armëpushimit, janë vrarë tre ose katër (gazetarë) të tjerë.”

Zoti Bellanger tha se rreth 60 gazetarë kanë humbur jetën, përfshirë të paktën 51 palestinezë, si edhe izraelitë dhe libanezë. Shumica janë vrarë gjatë bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Ai tha se janë vrarë edhe gazetarë izraelitë gjatë sulmit të Hamasit në Izraelin jugor që ishte shkaku i fillimit të luftës. Ai tha se këto shifra bazohen në të gjitha burimet që federata përdor për raportin e saj vjetor. Përveç viktimave në njerëz, në Gazë janë shkatërruar edhe objektet e shumë organizatave mediatike, tha ai.

Ai vlerëson se para konfliktit në Gazë kishte rreth 1,000 gazetarë dhe punonjës të medias dhe thotë se tani askush nuk mund të dalë nga Gaza.

Megjithatë, edhe në mes të shkatërrimit, gazetarët vendas vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, thotë Nasser Abu Baker, president i Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë.

“Ata kanë humbur familjet e tyre dhe vazhdojnë punën”, tha ai. “Ata janë pa shtëpi dhe vazhdojnë punën. … Pa ushqim, pa siguri për ta, pa familje. Edhe nëse familjet e tyre janë ende gjallë, ata nuk janë me familjet sepse familjet jetojnë ose flenë në spitale.”

Zoti Bellanger tha se autoritetet izraelite nuk ishin përgjigjur.

“Telefonova në Qeverinë izraelite, por ata nuk m’u përgjigjën. Dhe kur shkova në Palestinë para disa ditësh, i kërkova zyrës së shtypit të Qeverisë (izraelite) të bënim një takim. Por askush përgjigjet”, tha ai.

Izraeli ka thënë se bën çdo përpjekje për të shmangur vrasjen e civilëve dhe akuzon Hamasin se i rrezikon ata duke vepruar në zona të banuara.

“Ne duam të sigurohemi që gazetarët të jenë të mbrojtur. Puna e tyre në terren është kritike,” tha për agjencinë Associated Press, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

IFJ dhe “Gazetarët pa Kufij” u kanë bërë thirrje prokurorëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) të hetojnë vdekjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe kryeprokurori i ICC-së Karim Khan ka vizituar zonën.

Zyra e Prokurorisë së ICC-së po i heton veprimet e autoriteteve izraelite dhe palestineze që nga viti 2014.

Hetimi mund të marrë në konsideratë edhe pretendimet për krime të kryera gjatë luftës aktuale. Zoti Khan i ka bërë thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar, por nuk e ka akuzuar për krime lufte.

Ai e quajti sulmin e Hamasit më 7 tetor një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar. Izraeli argumenton se ICC nuk ka juridiksion në konflikt sepse territoret palestineze nuk janë një shtet sovran i pavarur.

Izraeli nuk është palë në traktatin që mbështet ICC-në dhe nuk është një nga 123 shtetet anëtare të tij.

Zoti Bellanger nuk mendon që situata në terren do të ndryshojë së shpejti, por thotë se si kreu i rrjetit global të gazetarisë, “Nuk mund t’ia lejoj vetes të jem pesimist”./ VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika