Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës(IHMK), të dielën e 22 janarit ka bërë me dije se të reshurat e shiut do të rikthehen sërish të martën e 24 janarit.
Në njoftimin e IHMK-së thuhet se këto reshje mund ta vështirësojnë situatën pas vërshimeve në Skenderaj, Mitrovicë e Klinë.
Sipas IHMK-së, kjo ndodh sepse rrjedhat ujore të këtyre zonave janë në kapacitetet e tyre maksimale.
Në këto zona tashmë dhe tokat janë të tejngopura me ujë.
Reshjet e ditëve të kaluara kanë shkaktuar vërshime të mëdha në Mitrovicë, Skenderaj dhe në Klinë.
Nga këto vërshime janë shkaktuar dëme materiale në prona të qytetarëve, shtëpi e biznese.
Gjatë kësaj të diele kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar fshatin Llaushë të Skenderajt, kështu ka njoftuar kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili i priti ata në komunën e tij.
Në këtë takim Nura u shpreh se pret përkrahje nga niveli qendror, derisa një vizitë e tillë erdhi me qëllim që të shihen nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe gjendjen e rëndë në disa zona.