IKD: Qeveria dhe Kuvendi shkelën Kushtetutën për miratimin e Projektligjit për KPMShCK,

IKD rekomandon që deputetët e Kuvendit të Kosovës, para dërgimit të Projektligjit për dekretim tek Presidentja, duke u bazuar në nenin 113.5. të Kushtetutës, ta procedojnë këtë Projektligj për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Në seancën e së enjtes, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Përmes këtij Projektligji, Kuvendi e bëri tërësisht jorelevant rolin e një institucioni kuazi gjyqësor siç është KPMShCK, i cili sipas Kushtetutës, siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil.

Miratimi i këtij ligji e ngushton funksionin e KPMShCK, cenon rëndë autoritetin e këtij mekanizmi kushtetues, i hap rrugë politizitimit të sektorit publik në Kosovë, pasigurisë juridike dhe arbitraritetit ndaj zyrtarëve publikë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, në tetor të vitit 2022, përmes një analize të publikuar, pati treguar për problemet kushtetuese që i bart projektligji i miratuar dje nga Kuvendi, i cili u sponsorizua nga Zyra e Kryeministrit.

Edhe përkundër faktit se IKD analizën e kishte dërguar te të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, i njëjti institucion nuk pati vullnet për të adresuar çështjet e ngritura, duke shkelur Kushtetutën, cenuar integritetin dhe pavarësinë e shërbimit civil dhe sigurinë juridike të shërbyesve civilë me rastin e miratimit të këtij Projektligji.

Ligji i miratuar ia heq KPMShCK-së kompetencën e vendosjes për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Sipas Projektligjit, KPMShCK nuk do të ketë kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Neni 101 i Kushtetutës flet për një sistem unik të shërbimit civil dhe një Këshill të vetëm që kujdeset për këtë shërbim. Ky nen nuk lejon shmangie ligjore të këshillit nga ky rol. Kështu, përderisa KPMShCK është institucion kushtetues dhe si i tillë kujdeset për gjithë shërbimin civil, pakësimi i kompetencave të këtij Këshilli me ligj është në kundërshtim të drejtë për drejt me Kushtetutën.

Përpos pakësimit të kompetencave kushtetuese të KPMShCK, Projektligji cenon edhe nenin 32 të Kushtetutës, për shkak se një pjesë e shërbimit civil, nuk do të kenë mundësi ankimimi në KPMShCK. Kjo situatë paraqet cenim të mjeteve juridike të subjekteve, të cilat janë pjesë të procedurave rekrutuese ku zbatohen rregullat e shërbimit civil.

Përjashtimisht subjekteve të përfshira në procedurat lidhur me nëpunësit civilë për pozitat e larta drejtuese, subjektet e tjera të shërbimit civil do të kenë të drejtë të ankohen në KPMShCK. Kjo situatë paraqet shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, përkatësisht barazisë para Ligjit.

Krahas shkeljes kushtetuese, reflektimi i kësaj dispozite në praktikë paraqet një potencial të lartë për cenim të të drejtave të njeriut, influencë politike në rekrutimin e pozitave të larta dhe dëmtim të buxhetit. Në raportin e publikuar, IKD theksonte se sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kohëzgjatja për trajtimin e një lënde administrative nga dita e ngritjes së padisë e deri në momentin e plotfuqishmërisë së vendimit është 3.2 vite. Kështu, përderisa një person ka pasur mundësi që ta realizojë të drejtën e tij në rrugë administrative pranë KPMShCK, ai duhet që të presë 3.2 vite që për rastin e tij të merret një vendim gjyqësor. Nën këtë situatë, edhe llogaridhënia e institucioneve që përzgjedhin këta zyrtarë është shumë e ulët, pasi fatura vije shumë më vonë. Në këto rrethana të reja, potenciali për ndikim politik është shumë i lartë.

Tutje, Projektligji i miratuar ua merr anëtarëve të KPMShCK imunitetin funksional. Fillimisht, duhet theksuar faktin se po ky nen ka qenë objekt i trajtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kjo Gjykatë kishte konsideruar se i njëjti nen nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Imuniteti në fjalë, që sipas Projektligjit të miratuar u merret anëtarëve të KPMShCK, është imunitet funksional, që ndërlidhet vetëm me ushtrimin e funksionit të tij.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, në kuptim të rolit që ka, KPMShCK gëzon prerogativat e një gjykate në kuptim të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkundër faktit se kjo gjykatë ka përcaktuar se imuniteti i kryetarit dhe anëtarëve të këtij këshilli nuk është imuniteti që u takon gjyqtarëve sipas Kushtetutës. Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, imuniteti funksional është i rëndësishëm si për pavarësinë e gjyqtarëve ashtu edhe për të drejtat e palëve.

Sipas Ligjit për KPMShCK [neni 15], i cili ndryshohet sipas Projektligjit të miratuar nga Kuvendi, anëtarët e KPMShCK shkarkohen nga Kuvendi me shumicë votash. Në mungesë të imunitetit funksional, që anëtarët e këtij këshilli i mbron nga, ndër të tjera, shkarkimi, i bie se bazë për shkarkim mund të konsiderohen edhe rastet e veçanta. Nisur nga fakti se për shkarkimin e anëtarëve të KPMShCK kërkohet vetëm shumicë e thjeshtë, kjo bazë krijon potencial të lartë për politizim të këtij institucioni nga qeveria, e cila ka mazhorancën në Kuvend. Përpos rrezikut për politizim, kjo pasiguri juridike do të ndikojë në hezimin e profesionistëve për t’u bërë pjesë e KPMShCK.

Sipas Projektligjit, në secilin rast kur ndaj vendimit të KPMShCK iniciohet padi në gjykatë, vendimi i KPMShCK nuk do të zbatohet deri në momentin kur gjykata të nxjerrë vendim të formës së prerë. Kjo zgjidhje ligjore është në kundërshtim me dallimet konceptuale në mes të procedurës administrative dhe procedurës gjyqësore. Ekzistimi i KPMShCK si organ administrativ për mbrojtjen e të drejtave gjyqësore ka për synim zgjidhjen e problemeve brenda administratës si dhe ngritjen e efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve. Pezullimi exlege i vendimit të KPMShCK deri në nxjerrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë praktikisht paraqet përjashtim të KPMShCK nga roli i saj kushtetues dhe pamundëson zgjidhjen e ankesave brenda procedurës administrative, pasi relevanca mbetet vetëm në vendimin gjyqësor. Kjo zgjidhje ligjore është në kundërshtim me praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, që vendimet e KPMShCK i cilëosn si “përfundimtare, të detyrueshme dhe të ekzekutueshme”.

Për këto arsye, Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për KPMShCK është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për faktin se Qeveria dhe Kuvendi nuk reflektuan përballë këtyre shkeljeve Kushtetuese, me qëllim të mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së institucionit kryesor që mbron rregullat e shërbimit civil, IKD rekomandon që deputetët e Kuvendit të Kosovës, para dërgimit të Projektligjit për dekretim te presidentja, duke u bazuar në nenin 113.5. të Kushtetutës, ta procedojnë këtë Projektligj për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës./ BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika