Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se pavarësisht kërkesës për shprehjen e interesit për monitorim të procesit të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKP), nuk kanë marrë përgjigje, ndërsa sipas informacioneve që posedojnë, procesi i intervistimit fillon këtë të martë.
IKD-ja ka thënë se shkresën zyrtare – kërkesë me shprehjen e interesit për monitorimin e procesit të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Bordit Drejtues të FKP-së, e ka drejtuar në Komisionin Përzgjedhës në përbërje të guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (kryesues), auditorit të përgjithshëm (anëtar) dhe ministrit të Financave (anëtar).
IKD-ja ka shprehur shqetësimin e thellë për qasjen mospërfillëse të këtyre institucioneve ndaj mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, duke injoruar në heshtje kërkesën e shoqërisë civile.
“Kufizimi i qasjes për IKD-në, tregon mungesën e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet, e që në mungesë të mbikëqyrjes së nevojshme mund të dërgojë edhe në rritjen e rrezikut të abuzimit dhe mungesës së një procesi të bazuar në integritet dhe meritokraci”, thuhet në komunikatë.
IKD-ja ka theksuar se për mospërgjigjen/refuzimin për monitorimin e procesit të rekrutimit për përfaqësuesin e sindikatave në Bordit Drejtues të FKP-së, do ta njoftojë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kryetarin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe deputetët e tjerë, anëtarë të këtij komisioni.
“Ndërsa, propozimet me shkrim për emërimin e përfaqësuesit të sindikatave në Bordin Drejtues të FKP-së, do t’i monitorojë dhe do t’i analizojë nëse janë aplikuar drejtë, qartë dhe saktë dispozitat ligjore të Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës dhe për propozimet e tilla, ndërsa qëndrimet do të bëhen të ditura publikisht”, thuhet në komunikatë.
IKD-ja ka rikujtuar se konkursi për pozitën e përfaqësuesit të sindikatave erdhi vetëm pas reagimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, ku Komisioni Përzgjedhës për këtë pozitë nuk ndërmori veprime për më shumë se 10 muaj, kështu duke cenuar përfaqësimin e sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.