Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike(IKShPK), të martën e 12 korrikut, njofton opinionin publik se nga mostrat e ujit të marra në fshatin Gorancë dhe QMF në Han të Elezit, rezultatet e analizës fiziko – kimike të këtyre mostrave janë brenda standardeve të lejuara për ujin e pijes.
Po ashtu, në njoftimin e IKShPK-së, thuhet se analizat bakteriologjike janë duke u punuar, kurse mostrat e fecesit nga pacientët me simptoma janë duke u punuar në laboratorin e Mikrobiologjisë në IKSHPK.
Sipas njoftimit të IKShPK, në Gorancë, më 9 korrik janë lajmëruar rastet e para e që kanë qenë rreth 80 pacientë të regjistruar në QKMF të Hanit të Elezit, me ankesa dhe shenja klinike: mundim, vjellje, barkëqitje, dhembje barku, në disa raste edhe temperaturë.
Sipas njoftimit deri të martën e 12 korrikut, numri i të helmuarëve ka arritur në 240 persona.
IKShPK ka njoftuar se për këto rezultate në të njejtën kohë u plotësuan 6 anketa epidemiologjike.
Simptomat të cilat kanë dominuar janë: ethe, barkqitje, mundim, vjellje, të gjithë pacientët janë trajtuar në mënyrë ambulantore.
Po ashtu është bërë e ditur se fshati Gorancë furnizohet nga dy burime:
- Burimi i parë i ndërtuar shumë vite më parë “Burimi i Turkut”, me kapacitet 6-7L/sec, ka kaptazhe dhe me rënie të lirë uji përcjellet deri në rezervuarin kryesorë.
- Burimi i dytë i ndërtuar në vitin 2002 në bashkëfinancim me CDF dhe komunitetin e fshatit, në vendin e quajtur Sudenec, ka kapacitet 2-3 L/sec, ka kaptazhe uji me sistem të pompimit (pompat punojnë 1orë dhe 2 orë pushojnë, deri sa të mbushet rezervuari) uji përcjellet në rezervuarin kryesor.
- Në teren janë marrë 3 mostra të ujit për analiza fiziko kimike dhe bakteriologjike në vendet:
- Sudenec, në rezervuarin me madhësi 3m/4m me thellësi 3 m,
- Rezervuari “Burimi i Turkut”,
- Në AMF Gorancë, ujë i cili vie nga rezervuari kryesor.
Po ashtu, nga pacientët të cilët janë anketuar poashtu janë marrë dhe 6 mostra të fecesit për analiza laboratorike mikrobiologjike (testimi me Molditof) në IKShPK.
Po ashtu ekipi i IKSHPK-ës së bashku me Zv.Ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Mentor Arifaj dhe kryeshefin e KRU ”Bifurkacioni” Jeton Shabani u takuan me nënkryetarin e komunës, Sevdi Dernjani dhe Drejtoreshën e Departamentit të Shëndetësisë. Në takim u diskutuan modalitetet për tejkalimin e kësaj gjendjeje.
IKShPK ka dalë me përfundime se nga rezervuari kryesor ku përzihet uji nga këto dy burime, uji me rënie të lirë futet në rrjetin shpërndarës të fshatit. Në asnjë pozicion nuk ka sistem të klorizimit, uji nuk dezinfektohet.
Sipas njoftimit, të ekspozuar janë rreth 2300 banorë, prej të cilëve 240 (attack rate 10.43%) banorë kanë kërkuar trajtim ambulantorik dhe nuk ka të hospitalizuar.
Po ashtu nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.
Po ashtu IKShPK ka rekomanduar që të bëhet raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, ligji “Parandalimi dhe luftimi I sëmundjeve ngjitëse në Kosovë”.
Po ashtu ka rekomanduar që të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset tjera që kanë ujë të sigurtë.
Ndryshe, numri i qytetarëve të cilët po kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, është rritur gjatë të martës së 12 korrikut.
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, bëri të ditur se të martën janë edhe rreth 100 qytetarë me simptomat si barkqitje, vjellje e temperaturë, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Janë shtuar rastet, janë edhe 100 persona të tjerë sot”, deklaroi Ballazhi, teksa shtoi se “situata po mirëmenaxhohet”.
“Kemi mbështetje nga Ministria, Komuna e Vitisë. Shqetësuese është paniku, për dallim nga gjendja momentale”, ka thënë Ballazhi në Magazina në Radio Dukagjini.
Ndryshe, edhe Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se kanë bërë furnizimin me barna në QKMF-në e Hanit të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente, sa i përket dyshimeve për helmim nga uji.
Përveç në komunën e Hanit të Elezit, MSh-ja ka bërë furnizimin me barna edhe në komunën e Kaçanikut, për shkak të helmimit të qytetarëve nga uji i kontaminuar.
Në njoftimin e saj, MSh-ja ka treguar për llojet e furnizimeve dhe sasinë e tyre në dy komunat e lartcekura.
Po ashtu, MSh-ja ka bërë të ditur se komunat e tjera si ajo e Vitisë dhe e Ferizajt, janë në gjendje gatishmërie për ta ndihmuar komunën e Hanit të Elezit, derisa situata të qetësohet, pas dyshimeve për helmime nga uji i pijes.