Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë sa i përket lisë së majmunëve.
Përmes një njoftimi, IKSHPK ka theksuar se është duke e përcjellur me vëmendjen situatën epidemiologjike.
“IKSHPK njofton se në Republikën e Kosovës, nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket Lisë së Majmunëve. IKSHPK ka përpiluar dokumentin e parë, me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore sa i përket sëmundjes së lisë së majmunëve, i cili është shpërndarë të gjitha institucioneve shëndetësore në vend, dhe do të përditësohet me të dhënat e reja”, thuhet në njoftim.
IKSHPK po ashtu, ka dhënë disa informacione lidhur me linë e majmunëve si një infeksion viral, tashmë të përhapur në Afrikë, Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Izrael.
Deri më tani janë raportuar mbi 100 raste.
“Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae, është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera, Lija e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore”, thuhet në njoftim.
“Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%, transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin, transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati”, vijon njoftimi.
ÇFARË ËSHTË LIJA E MAJMUNIT?
Lija e majmunit është një virus që e ka origjinën tek kafshët e egra si brejtësit dhe primatët, dhe herë pas here kërcen te njerëzit. Shumica e rasteve të njerëzve kanë qenë në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, ku sëmundja është endemike.
Sëmundja u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në vitin 1958, kur pati dy shpërthime të një sëmundjeje “të ngjashme me linë” në majmunët të cilët përdoreshin për hulumtime mjekësore – kështu mbeti emri “lija e majmunëve”. Infeksioni i parë i njohur njerëzor ishte në vitin 1970, në një djalë 9-vjeçar në një pjesë të largët të Kongos.
CILAT JANË SIMPTOMAT DHE SI TRAJTOHET?
Lija e majmunëve i përket së njëjtës familje virusesh si lija, por shkakton simptoma më të lehta.
Shumica e pacientëve përjetojnë vetëm ethe, dhimbje trupi, të dridhura dhe lodhje. Njerëzit me sëmundje më serioze mund të zhvillojnë një skuqje dhe lezione në fytyrë dhe duar që mund të përhapen në pjesë të tjera të trupit.