Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë rekomandime në lidhje me përdorimin e ujit, pas vërshimeve të fundit që kanë kapluar vendin.
Kësisoj, rekomandohet që para përdorimit uji të vlohet, pasi ka turbullira të shtuara.
Instituti në njoftim ka thënë se si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit, situata me ujë të pijshëm është vështirësuar dukshëm.
Tutje, ky institut ka bërë me dije se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse.
“Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse. Ekipet e Institutit Kombëtar po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes”, theksohet tutje në njoftim.
IKSHPK ka përditësuar raportin rajonal të ujit, të cilin e gjeni të bashkëngjitur.
“Duke pasur parasysh se janë regjistruar vlera të shtuara të turbullirës në shumë burime, si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit në zonat me të dhënat e përditësuara (22 Janar 2023):KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj mbetet jashtë funksionit. Për shkak që ITU Shkabaj është jashtë funksionit, Fushë-Kosova, Obiliqi, Zona Industriale dhe lagjja ‘Kalabria’, do të kenë reduktime të furnizimit me ujë”, bëhet e ditur në njoftimin e IKSHPK-së.
“KRU ‘Mitrovica’- Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë kanë startuar trajtimin e ujit. KRU ‘Hidrodrini’- Rajoni i Pejës: burimin Drini i Bardhë –Radavc dhe burimi Shkozë, Junik. Turbullira vazhdon me qenë prezente në burimet, Burimi Drini i Bardhe-Radavc dhe burimi Shkozë-Junik. Ndërsa për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarinë – Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë. Burimi i Istogut paraqitet akoma me turbullirë, nuk rekomandohet për pije dhe dhe para përdorimit duhet të vlohet. Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP – Pejë janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human. KRU ‘Gjakovë’- Rajoni i Gjakovës: burimi në Demjan, Gërqinë dhe Rekë. Në zonat e furnizimit nga KRU’Gjakova’ gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë, të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm. Në zonat e furnizimit nga burimet në Demjan, Gërqinë dhe Rekë ende ka turbullirë dhe uji nuk rekomandohet për pije dhe dhe para përdorimit duhet të vlohet. KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë dhe sistemi në Kaçanik. Te gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë dje dhe sot në Ferizaj dhe Kaçanik janë brenda standardeve për ujin e pijes”, sqarohet për qytetarët në njoftimin e IKSHPK-së.
Ndryshe, IKSHPK ka bërë të ditur se janë të gatshëm ta ruajnë situatën stabile dhe për çdo përkeqësim të situatës epidemiologjike do ta mbajnë të informuar publikun.