Seanca ceremoniale e Kuvendit të Kosovës ka nisur me lëshimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror. Me të përfunduar himnet e të dy shteteve, fjala i është dhënë presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Presidenti Meta, i cili paraprakisht e kishte takuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ka thënë se shteti i Kosovës është shembull për të gjithë vendet e rajonit duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Meta u shpreh se Kosova dhe Shqipëria duhet të ndërtojnë raporte partneriteti. Ai tha se Kosova dhe Shqipëria e ndajnë të njëjtën histori, gjuhë dhe traditë.
“Kam mbajtur derën e hapur të çdo shtetari të Kosovës, me dëshirën që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të jenë vëllazërore. Gjithçka e lidh Kosovën me Shqipërinë, gjuha, tradita, perspektiva evropiane. Kjo lidhje e pandashme Shqipëri Kosovë, i ka rrënjët te gjaku i derdhur i etërve të kombit nga Gjergj Kastrioti tek Adem Jashari, nga Ismail Qemajli tek Ibrahim Rugova”, ka deklaruar Meta në Kuvendin e Kosovës.
Presidenti i Shqipërisë, po ashtu, tha se të dyja vendet duhet ta mbështetin njëra-tjetrën edhe më shumë. Ai e përmendi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të cilën tha se duhet të “krenohemi të gjithë”.
Meta nuk la pa përmendur edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se kushtet tani janë plotësuar.
Pas këtij fjalimi, presidenti në largim Ilir Meta pritet të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.