Illija Sërdanoviq: Dialogu me Kosovën dhe integrimi evropian do të vazhdojnë

Lista Studentore në Serbi do ta vazhdojë dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, por marrëveshjet e arritura nga zyrtarët e mëparshëm mund t’i rishqyrtojë për të vlerësuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

Kështu ka deklaruar Illija Sërdanoviq, i pari në Listën Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Sërdanoviq ka thënë se vazhdimi i dialogut për çështjen e Kosovës është pjesë themelore e programit të kësaj lëvizjeje.

“Vazhdimi i dialogut për çështjen e Kosovës është pjesë themelore e planit studentor. E gjithë platforma e marrëdhënieve të brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë mbështetet në respektimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse kjo nënkupton edhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit, të arritur më 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Sërdanoviq ka thënë se pushteti i ri do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, por ka lënë të hapur mundësinë e rishqyrtimit të tyre.

“Kjo do të thotë se ne, si shoqëri dhe si pushtet i përgjegjshëm, në të ardhmen do t’i respektojmë protokollet e dakorduara ndërkombëtarisht. Të gjitha protokollet që zyrtarët tanë kanë dakorduar në emër të Serbisë mund të rishqyrtohen për të përcaktuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, ka thënë ai.

Sa i përket mundësisë së zhvillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Sërdanoviq ka deklaruar se Lista Studentore ende nuk e ka marrë mandatin për të qeverisur dhe se për çështjet strategjike do të vendoset pas formimit të Qeverisë.

“Në këtë moment, ne ende nuk e kemi marrë mandatin dhe nuk jemi në pushtet në Serbi. Për çdo çështje që ka rëndësi të madhe strategjike për shtetin, kombin dhe qytetarët tanë, do të marrim vendim më vonë, pasi të formohet Qeveria”, ka thënë ai.

Sërdanoviq nuk ka dhënë një qëndrim për kërkesën e Kosovës për ekstradimin e terroristit Milan Radojçiqit, duke thënë se vendimet për çështje të tilla do të merren në përputhje me procedurat ligjore që vlejnë në Serbi.

Ai ka theksuar gjithashtu se Lista Studentore synon ta vazhdojë procesin e integrimit evropian dhe të informojë qytetarët për përfitimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lista Studentore doli nga protestat kundër korrupsionit dhe në mbështetje të sundimit të ligjit, të zhvilluara në Serbi gjatë dy vjetëve të fundit. Lëvizja u organizua përmes plenumeve studentore, pa një udhëheqës të vetëm publik, ndërsa Sërdanoviq ishte i pari në listën zgjedhore.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika