Mbajeni frymën, njerëz! Disa nga mega premtimet zgjedhore janë bërë të njohura, por sigurisht që deri më 9 shkurt do të ketë edhe shumë befasi. Siç ka ndodhur rëndom në Kosovë, partitë politike nuk kursejnë premtime, kur bëhet fjalë për t’ua mbushur mendjen qytetarëve që t’ua japin votën.
Vetëm shiheni sloganin e AAK’së së Ramush Haradinajt: “Direkt në NATO”. E ka fjalën për Kosovën, pra, të cilën synon ta anëtarësojë në NATO direkt, shpejt e shpejt. Thua se gjithçka është në dorën e tij dhe askujt nuk i paska ardhur në mendje kjo ide deri më tash. Dhe qe, u zbulua.
Shenoll Muharremi, një ndër njerëzit më të dobishëm në rrjetet sociale dhe dekonstruktues shifrash e idesh, ka konstatuar se nuk ka gjasa as teorike, as praktike që të ndodh një anëtarësim “direkt” për një vit i Kosovës në NATO. Sipas tij, secili skenar për anëtarësim, krahasuar me fazën në të cilën gjendet, mund ta marrë deri një dekadë.
Kohëzgjatja e anëtarësimit të vendeve të rajonit në NATO që nga bërja pjesë e Partneritetit për Paqe është 25 vjet për Maqedoninë e Veriut, 11 për Malin e Zi, 15 për Shqipërinë, dhjetë vjet për Slloveninë, Bullgarinë e Rumaninë e nëntë për Kroacinë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk ekziston ndonjë “mundësi e shpejtë” e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe se për këtë kërkohet “durim dhe punë e vështirë”. Ai përmendi skepticizmin e disa shteteve europiane për këtë çështje pa u adresuar disa nga shqetësimet e tyre, siç janë marrëdhëniet me Serbinë.
“Nuk ka asnjë mundësi të shpejtë, që vetëm pse po përballeni me një kërcënim, atëherë duhet të bëheni anëtar i NATO’s. Thjesht, nuk funksionon kështu”, theksoi ai.
Kosova e ka brenda misionin e KFOR-it / NATO’s, i cili funksionon sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB’së dhe Aleanca Veriatlantike ka qasja neutrale ndaj shtetit të Kosovës. Është e kuptueshme dhe do të ishte normale të premtohej punë serioze për kapërcimin e pengesave të Kosovës drejt NATO’s, por jo që qytetarët të udhëqehen me iluzione të tilla.
* * *
Iluzione të ngjashme dhe “filma” parazgjedhorë ka mjaft edhe tek partitë tjera. A e keni parë se si ekziston njëfarë gare se cila parti premton koeficient më të lartë për pagat në sektorin punblik? Duke i dëgjuar premtimet për të famshin koeficient njeriu mund të mendojë se nga vlera e tij përfitojnë shumica e të punësuarve në Kosovë. Por realiteti është krejt tjetër, sepse në sektorin publik punojnë rreth njëzet për qind, kurse pjesa tjetër e qytetarëve janë të punësuar në sektorin privat. Megjithatë, më e lehtë është të kalkulohet me buxhetin publik, sesa të ofrohen zgjidhje kreative për sektorin privat.
Njësoj, eksponentë të qeverisë vazhdimisht shfaqin shifra për rritje ekonomike të cilat, nëse nuk dekonstruktohen, tingëllojnë fort bukur. Sërish Shenoll Muharremi i ka dekonstruktuar vazhdimisht këto pretendime. Sipas tij, nuk qëndron deklarimi i kryeministrit Albin Kurti që Kosova ka pasur rritjen mesatare më të lartë në rajon tre vjetët e fundit. Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore Mali i Zi, e jo Kosova, e ka pasur rritjen më të lartë mesatare, që e kalon atë të Kosovës prej 6.1 për qind (2021-2023). “Për ironi, ky nuk është një argument me u krenu, për shkak se ka ndodhë në kohën e inflacionit të jashtëzakonshëm që ka shkatërru fuqinë blerëse të familjeve e qytetarëve dhe ku është dashur me politika ekonomike me ‘shkatërru’ kërkesën në treg, jo me stimulu me rritje”, ka konstatuar Muharremi.
Pavarësisht kësaj, premtimet dhe deklarimet megalomane do të vazhdojnë. Edhe gënjeshtrat, gjithsesi. Por, secili qytetar dhe secila qytetare me mendje të shëndoshë duhet të shohë përtej këtyre premtimeve, para se të vendosin për kë të votojnë. Premtimet megalomane, pa mbulesë, nuk duhet të përligjen. Të tilla janë të gjitha ato që nuk kanë arsyeshmëri financiare dhe zbatim praktik, ato që mund të tingëllojnë super si shifra, por që në realitet janë krejt tjetër gjë. Në zgjedhjet e 9 shkurtit kosovarët duhet të votojnë premtime dhe ide përtokë.