Inaugurimi i Trumpit

Në ceremoninë e inaugurimit edhe personalitete nga Kosova

Nga Presidenca e Kosovës u konfirmua se presidentja Vjosa Osmani ka vendosur të dërgojë një delegacion në krye me ambasadorin e Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të marrë gjithashtu pjesë në këtë ngjarje, ashtu si edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe biznesmeni Shkëlqim Devolli.

Ku zhvillohet ceremonia e inaugurimit?

Procedurat e inaugurimit të presidentit zhvillohen tradicionalisht jashtë ndërtesës së Kongresit amerikan, në Uashington.

Megjithatë, këtë vit, ceremonia u zhvendos në ambient të brendshëm, për shkak të motit të ftohtë.

Përmes një postimi në mediat sociale, Trump tha të premten se e ka kërkuar një gjë të tillë, sepse “nuk do që të shohë njerëz të lënduar në asnjë mënyrë”.

Fjalimi i inaugurimit dhe procedurat e tjera do të zhvendosen brenda Kongresit, ashtu si edhe zona e shikimit për mysafirë, ligjvënës dhe personalitete të tjera.

Parada tradicionale u anulua gjithashtu.

Kjo nuk është hera e parë që moti ekstrem e zhvendos ceremoninë.

Në vitin 1985, inaugurimi i presidentit Ronald Reagan u bë në ambiente të mbyllura dhe parada tradicionale u anulua, për shkak të motit jashtëzakonisht të ftohtë.

Çka është inaugurimi?

Inaugurimi është ceremonia zyrtare që shënon fundin e mandatit të një presidenti dhe fillimin e mandatit të presidentit pasardhës.

Është pjesa më kulminante e tranzicionit të pushtetit mes dy udhëheqësve.

Ajo përfshin betimin e presidentit të zgjedhur – në këtë rast të Donald Trumpit – që thotë:

“Betohem solemnisht se do të shërbej me besnikëri në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do ta bëj më të mirën për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

Edhe pse Trump i fitoi zgjedhjet në nëntor, ai bëhet zyrtarisht presidenti i 47-të i SHBA-së, pasi t’i thotë këto fjalë.

Kush është Donald Trump?

Republikani Donald Trump, 78 vjeç, kthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 kundër demokrates Kamala Harris.

Manjati i pasurive të patundshme shërbeu si president edhe gjatë viteve 2017-2021.

Ai i humbi zgjedhjet e vitit 2020 kundër kandidatit të atëhershëm demokrat, Joe Biden, por refuzoi ta pranonte rezultatin.

Pas një fjalimi në Uashington, më 6 janar, 2021, mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

Pesë njerëz humbën jetën në trazira.

Trump lindi në Kuins të Nju Jorkut në vitin 1946 nga nëna Mary Anne MacLeod, skoceze, dhe babai Fred Trump, djalë i imigrantëve gjermanë.

Babai i tij ishte manjat i pasurive të patundshme në Nju Jork dhe Trump iu bashkua biznesit familjar dhe u bë udhëheqës i tij në vitin 1971.

Trump ka tre fëmijë – Donald Jr, Ivanka dhe Eric – me gruan e parë, Ivana; vajzën Tiffany me gruan e dytë, Marla Maples, dhe djalin Barron me gruan aktuale, Melania Trump./Radio Evropa e Lire

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika