Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur një incident në Aeroportin e Shkupit, ku sigurimi i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal. Ky incident është bërë objekt diskutimi në një konferencë për media në Shkup, ku kryeministri Albin Kurti ka komentuar ngjarjen.
Në konferencën e përbashkët me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Kurti ka theksuar se incidenti i ndodhur me presidenten Osmani nuk përbën një provokim nga autoritetet maqedonase.
“Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës qëndrim të tillë (se ishte provokim). Mund ta këtë thënë ndokush prej qytetarëve, por jo institucionet e Republikës. MPJD e ka dhënë deklaratën saj, që paraqet qëndrimin e Qeverisë, gjithashtu edhe qëndrim edhe MPJ- e Maqedonisë së Veriut e kemi parë. Besoj që duhet ta synojmë të vërteten dhe kuruese tensionimin. Pra, le të zbardhet rasti janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka deklaruar se incidenti në Aeroportin e Shkupit ishte një përvojë e vështirë për presidenten Osmani, e cila ndodhej me familjen dhe dy vajzat e saj të vogla, teksa ka shtuar se autoritetet maqedonase kanë premtuar një raport zyrtar që do të zbardhë çështjen në detaje.
“Padyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Osmani. Më 2 gusht në Aeroportin e Shkupit. Aq më tepër që ka qenë më familje dhe me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe në hollësi. Edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe të mos na përsëriten kurrë më situata e tilla”, ka shtuar Kurti.