Inflacioni britanik është lehtësuar muajin e kaluar, pasi arriti nivelin më të lartë në 41 vjet në tetor, duke ofruar njëfarë rehatie për Bankën e Anglisë, por presioni mbi familjet mbeti i lartë, pasi çmimet e ushqimeve dhe pijeve u rritën me ritmin më të shpejtë që nga viti 1977.
Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit ra në 10.5 për qind në dhjetor nga 10.7 për qind në nëntor, ka thënë të mërkurën Zyra për Statistikat Kombëtare.
Ndërkohë që çmimet më të ulëta për benzinën dhe veshjet ulën normën totale, kostoja e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ishte 16.8 për qind më e lartë se një vit më parë, rritja më e mprehtë që nga shtatori 1977, e udhëhequr nga vezët, qumështi dhe djathi.
Banka e Anglisë ka parashikuar në nëntor se Indeksi i Çmimeve të Konsumit total do të bjerë nga një kulm prej 11.1 për qind tetorin e kaluar në rreth 5 për qind deri në fund të vitit 2023, pasi çmimet e energjisë stabilizohen.
Por, politikëbërësit kanë paralajmëruar për presion të vazhdueshëm në rritje mbi inflacionin nga një treg i ngushtë i punës dhe faktorë të tjerë, dhe tregjet financiare presin që banka qendrore të rrisë normën e saj kryesore të interesit në 4 për qind më 2 shkurt, nga 3.5 për qind.
“Norma më e ulët e përgjithshme Indeksi i Çmimeve të Konsumit mund të zvogëlojë rrezikun e një spiraleje paga-çmim, por këto shifra sugjerojnë se puna e BoE nuk ka përfunduar ende”, ka thënë ekonomistja e lartë e një kompanie për shërbime financiare, HSBC, Liz Martins, raporton Reuters.
Inflacioni britanik, në dhjetor ishte më i lartë se norma vjetore prej 6.5 për qind e regjistruar për Shtetet e Bashkuara dhe 9.6 për qind në Gjermani.
Ndërsa, çmimet e gazit natyror janë nën nivelin e një viti më parë, pak para pushtimit rus të Ukrainës, ato janë ende disa herë më të larta sesa ishin në mesin e vitit 2021 dhe ndikimi i rritjes vazhdon të ushqehet në ekonomi.
Inflacioni në çmimet e shërbimeve – që disa zyrtarë të Bankës së Shqipërisë i shohin si sinjalizues për presione më të vazhdueshme inflacioniste dhe ndikimin dytësor të kostove më të larta të energjisë dhe pagave – u rrit në nivelin më të lartë që nga marsi 1992 në 6.8 për qind.