Insekte e qime në flokë. Këto po pretendojnë studentët që i kanë gjetur dy ditët e fundit në ushqimin e servuar në Mensën e Studentëve.
E njëri ndër studentët që hasi në to, thotë se është hera e parë që kishte kthyer pjatën plotë.
“Hera e parë që më ndodhi mua ka qenë mbrëmë, gjersa po merrja orizin. Vura re se brenda tij kishte insekte të vogla. Ushqimit i bëra foto dhe e ktheva menjëherë. Të kenë më shumë kujdes në ushqimin që na servohet, higjiena të jetë në nivel më të lartë sesa që është dhe asgjë tjetër”, ka theksuar një student ushqyes në mensë.
E përpos këtij studenti, televizioni pranoi edhe ankesa të tjera përgjatë dy ditëve të fundit, disa privat e disa të publikuara në grupin “Studentët 2024”.
“Deshta të bëjë një ankesë për këta të mensës nëse ka mundësi, të jenë më të kujdesshëm në ushqim sepse s’është hera e parë që po gjejë gjësende në pjatë. Sot më qëlloj dhe qime floku, shumë të papërgjegjshëm”.
“Ju kam shkru stafit, se po ankohen shumë, po nuk ua ka ndjerë. Herën e kalume kur ishte skandali i krimbave njëjtë vepruan. Të njëjtat gjëra i thanë, që studentat ose njerëz me qëllime të ndryshme”.
Televizioni ia bëri një vizitë hapësirave të kuzhinës ku përgatitet ushqimi.
Në sy të parë, hapësira duket e rregullt dhe e pastër e në këtë bazohet drejtori i mensës, i cili nuk përjashton mundësitë e një rasti të tillë por që nuk pranoi ankesa zyrtare.
“Ne as nuk e mohojmë dhe as nuk e pohojmë në këtë moment vërtetësinë e tyre. Mirëpo ne mundohemi ta bëjmë të pamundurën që të ofrojmë shërbime sa më të mira të mundshme, për këtë ka vlerësim nga studentët. Janë të kënaqur. Ne nuk e mohojmë se mundet me pas diçka në ndonjë ushqim por ne jemi në nivel detyre dhe vlerësoj se ofrojmë shërbime në nivel të kënaqshëm”, ka deklaruar Fahri Osmani, Drejtor i Mensës së Studentëve.
Osmani thotë se mensa vizitohet rregullisht nga inspektorët sanitarë e nga të njëjtit, nuk pranuar ankesa.
Por, më i sigurt në përgjigje është Drejtori i Qendrës së Studentëve.
“Jemi në dijeni por s’është e vërtetë. Kjo që ka qarkulluar është fotografi shumë e vjetër dhe po qarkullon tash. E ka publiku dikush dashakeq dhe mundohen me evidentu se ka ndodh tash. S’është e vërtetë, ejani vizitojeni mensën, shikojeni nivelin e pastërtisë”, ka theksuar Ekrem Rudari, drejtori i qendrës së studentëve.
Televizioni ka pyetur për këtë edhe Inspektoratin Sanitar lidhur me çështjen, por nga të njëjtit nuk ka pranuar përgjigje.