Vetura me targa të tilla “KM”, pritet që shumë shpejtë të mos shihen rrugëve të Kosovës.
Pronarët e veturave të tilla, kanë edhe 60 ditë kohë, për t’i kthyer këto regjistrime në RKS.
Në orët e para të së enjtes, afati për ta bërë këtë veprim ka nisur.
E interesimi, sipas udhëheqëses së Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve në Mitrovicë, Ardita Ademi Istrefi është i lartë.
“Interesimi në këtë qendër dhe në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve ka qenë shumë i madh, edhe procesi i tejkalimit është mjaft i lehtë në qendrat tona… Procedurat janë shumë të lehta, për atë arsye nuk e besoj edhe se do të kemi vështirësi gjatë procesit”, ka thënë Istrefi.
Megjithatë, televizioni ka mësuar se përkundër interesimit, numri i atyre që i kthyen targat nga ilegale, në legale RKS, ishte i vogël.
Të dhënat nuk i ka bërë akoma publike Ministria e Punëve të Brendshme.
E gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti, ka bërë përsëri thirrje që të hiqet dorë nga përdorimi i targave ilegale.
“Konvertimi dhe regjistrimi i automjeteve me targa “RKS”, i shërben rendit publik, ligjik dhe sigurisë. Targat e lëshuara nga Seriba, PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA”, janë trashëgimi e regjimit të Millosheviqit”, ka thënë Kurti.
Për të përfunduar i gjithë ky proces, Bashkimi Evropian i ka kërkuar kohë të mjaftueshme Kosovës.