Intervista e Liderit dhe realiteti i bojkotuar

Në një studio moderne e transparente, me ndriçim që të kujton një laborator kimik, Lideri i një vendi të përhumbur e të paqartë ka pranuar më shumë kujdes të ulet në karrigen që rrezikonte të shkërmoqej nga ambiguiteti i fjalëve të tij.

Studioja, e cila ngjante si një makinë kohe për t’i shpëtuar pasigurisë së përhershme, ishte gati të ndizte një dritë atomike për të zbuluar të fshehtat.

Lideri, një personazh me aftësi të jashtëzakonshme për të fshirë/hëngër çdo fjalë të thënë nga goja e tij, ulur në një karrige që mund të kishte pasur shumë simbolikë – dhe shumë më shumë ironi – nisi të fliste për bojkotin.

Një pamje që Nietzsche do ta quante “përpjekje për të ndërtuar vlera të reja”, si zakonisht, u krijua përpara kamerave, Lideri kërkonte të impononte ideologjinë e tij.

“E dimë se është një vendim i nevojshëm, për të shpëtuar narrativen tonë dhe për të mbrojtur të vërtetën që, po e themi e po e bëjmë, natyrisht”, potencoi Lideri që kravata ia shtrëngonte fytin, sikurse litari që e mbyste Zhan d’Ark – njashtu edhe Lideri pretendon për të Vërtetën, ndonëse mos-mendon që është Zoti vetë.

Çfarë thoshte ai në të vërtetë?

Për të kuptuar qëndrimin e tij, është e mundur të lidhim fjalët e Liderit me filozofinë e “realizmit politik” të Machiavelli-t, i cili besonte pak a shumë kështu: qëllimi justifikon mjetin dhe, se lideri duhet të arrijë dhe mbrojë pushtetin me çdo mjet të mundshëm.

Machiavelli mund të kishte thënë që nëse liderët duhet të qëndrojnë në pushtet, ata duhet të përdorin të gjitha mjetet, përfshirë manipulimin e realitetit, bojkotin dhe propagandën.  

“Ata mund të manipulojnë të vërtetën tonë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi marrë këtë hap, bojkotin”, vazhdoi ai me një buzëqeshje të fshehur.

“Si mund të justifikoni bojkotin? A është kjo një mënyrë për të fshehur të vërtetën, apo se keni frikë nga e vërteta?”, iu shtrua pyetja, që tentoi t’ia zbeh dritën qorruese ambiguitetit.

Nëse njeriu ka fuqi të krijojë realitete të reja, siç ka thënë Sartre, a mund të themi që bojkoti është një përpjekje për të krijuar një realitet të tillë, të cilin ata e quajnë të “Vërtetë”?

Lideri, duke u munduar të mbajë një ton të qetë – ndonëse s’i shkon për shtati një revolucionari – të kuq, mbushi ajrin e studios më pështymen e tij thuajse të padukshme.

“E dini, është një çështje e rëndësishme për ne. Këto janë të lidhura ngushtësisht me grupe të caktuara që përpiqen të krijojnë një realitet që na dëmton.

Pse të lejojmë që dikush tjetër të diktojë atë që është e Vërtetë?”

Në fund të intervistës, Lideri, i qetë si gjithmonë, u largua, duke e lënë vetëm një dëshirë për të njohur më shumë për të vërtetën që ai, gjithmonë, për më shumë se 25 vjet, e kishte ngatërruar me pasigurinë e vet.

Të fundit nga rubrika