Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka njoftuar se Nasim Haradinaj duhet të respektojë kushtet e vendimit të dënimit të tij, duke e paralajmëruar se “intervistat e tij në medie pa leje paraqesin shkelje të rëndë”.
Trendafilova ka bërë të ditur se ka dhënë një paralajmërim të fundit për Haradinajn, duke shtuar se çdo shkelje e ardhshme do të sjellë kthimin e tij në paraburgim të menjëhershëm.
“Kryetarja shpjegoi se megjithëse Vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që zotit Haradinaj t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit, dhe e bëri të qartë se çdo shkelje tjetër do të rezultojë në kthimin e tij të menjëhershëm në objektin e paraburgimit të DHSK-së për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në komunikatën për medie.
Nasim Haradinaj ishte dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim për shkelje të fshehtësisë së procedurës në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe ishte liruar me kusht në dhjetor të vitit 2023.