Kritikat e ish-ministres së Financave, Hykmete Bajrami, njëherësh deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nuk kanë qenë të rralla përgjatë vitit 2022, ndaj Qeverisë Kurti II.
Me një përvojë të gjatë në fushën e ekonomisë, Bajrami si opozitare nuk i ka kursyer kritikat e saj as në fushën e menaxhimit ekonomik.
Në një intervistë të realizuar nga Portali Dukagjini, deputetja Bajrami flet për inflacionin gjatë vitit 2022 dhe se si është menaxhuar kriza ekonomike nga Qeveria e Kosovës.
Ndër të tjera, ajo flet për rritjen ekonomike, e cila sipas saj, po transmetohet ndryshe.
Bajrami tregon se si do të vepronte po të ishte në vend të shefit të kuletës së shtetit, Hekuran Murati dhe çfarë do të propozonte për daljen nga kriza ekonomike.
Si e sheh rritjen ekonomike deputetja Bajrami?
Sipas deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, rritja ekonomike nuk matet me deklaratat politike të kryeministrit Albin Kurti, por sipas saj, rritjen ekonomike e masin institucionet që janë të thirrura për këtë, siç është Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Duke iu referuar ASK-së, Bajrami ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2022 pritet të jetë më e ulëta në dekadën e fundit, duke i marrë parasysh të dhënat në tremujorin e këtij viti.
“Derisa në tremujorin e parë të vitit 2022, rritja ekonomike ishte 4.51%, në tremujorin e dytë ishte 2.14% e në tremujorin e tretë rritja ekonomike është vetëm 2.07%”, ka thënë Bajrami.
Për të, kjo normë e ulët e rritjes ekonomike e demanton secilin politikan kur pandeh se kinse këtë vit paska pasur rritje të punësimit.
“Sa i përket rritjes së të hyrave, pajtohem se ka pasur rritje të të hyrave, sepse inflacioni është enorm dhe si rezultat i rritjes së çmimeve, kemi pasur rritje edhe të hyrave tatimore, duke ditur se tatimet paguhen në përqindje. Për shembull: TVSh në vaj ushqimor është 8% dhe kur litra e vajit ka qenë 1.20 euro, TVSH-në që e ka marrë shteti ka qenë 9.6 centë, ndërsa kur çmimi i vajit ushqimor ka shkuar në tri euro, TVSH-në që e ka vjelë shteti për një litër vaj ka shkuar në 24 centë. Kështu shpjegohet rritja e të hyrave gjatë këtij viti(2022)”, ka vijuar ajo.
E pyetur se si veproi Qeveria në menaxhimin e situatës me inflacion, ajo është shprehur se nuk janë marrë masa adekuate për të adresuar rritjen enorme të çmimeve.
“Qeveria nuk ka marrë asnjë masë, përkundrazi gjatë nëntë muajve të këtij viti kur qytetarët po përballeshin me çmime enorme, Qeveria s’ka bërë gjë tjetër pos që është lavdëruar që po i rrit të hyrat, duke mos e njohur faktin se këto të hyra janë të qytetarëve të varfër, të cilët në periudha të ndryshme kanë paguar deri në 3 euro për një litër vaj ushqimor, e brenda atij çmimi, vetëm në formë të TVSH-së kanë shkuar 24 centë për buxhetin”, është shprehur Bajrami.
Ndërsa, sipas saj, përpos faktit që gjatë këtyre dy viteve nuk ka pasur asnjë lëvizje me të vogël në politikat fiskale, edhe masat që janë ndërmarrë kanë qenë të pamenduara dhe nuk kanë krijuar asnjë efekt pozitiv afatgjatë.
“Janë rreth 250 milionë që u janë shpërndarë qytetarëve duke ju dhënë nga 100 euro, por këto mjete nuk e kanë zgjedhur problemin e asnjërit, për më tepër këto masa kanë qenë edhe të padrejta sepse kanë lënë jashtë kategorinë e të papunëve dhe kategori të tjera në nevojë”.
Ndërsa se a i adreson buxheti i miratuar për vitin 2023 në tërësi kërkesat e qytetarëve të Kosovës, deputetja opozitare, Hykmete Bajrami, ka thënë se “Buxheti për vitin 2023 as nuk i plotëson nevojat e qytetarëve, as nuk i reflekton premtimet dhe programin e LVV-së” duke theksuar se buxheti duhet t’i reflektojë premtimet dhe programin e LVV-së, pasi mbi premtimet që kanë dhënë para dy viteve, LVV-ja ka fituar zgjedhjet.
Dukagjini: Si u menaxhua kjo situatë nga ana e shefit të kuletës së shtetit?
Bajrami: Duke pasur parasysh faktin se produktet bazë të shportës së konsumatorit janë shtrenjtuar me mbi 50 për qind, Ministria e Financave dhe Transfereve ka marrë më së shumti mjete nga të varfërit, dhe mandej këto mjete i ka shpërndarë njëjtë si të varfërve dhe të pasurve.
Rreth 250 milionë euro që janë shpërndarë pa asnjë kriter, nëse do ta kishte mbështetur sektorin privat, ky punësimi i imagjinuar i qeveritarëve do të ndodhte me të vërtetë. Për më tepër, MFT ka dështuar të trajtojë inflacionin te punët publike, dhe ky vit (2022) do të shënojë rekord për mosekzekutim të investimeve kapitale.
Dukagjini: Cilat janë “gabimet” që sipas jush, u bënë nga ana e Qeverisë për menaxhimin e krizës ekonomike?
Bajrami: Nuk janë marrë masa adekuate për të adresuar rritjen enorme të çmimeve. Që në fillim të luftës Rusi-Ukrainë, kur filloi rritja enorme e çmimit të karburanteve, LDK-ja ka propozuar që Qeveria me vendim ta pezullojë akcizën në naftë dhe derivatet e saj, ka propozuar gjithashtu që ta pezullojë ose përgjysmojë normën e TVSH-së për naftë dhe derivateve të saj, sepse është e ditur dhe e vërtetuar se rritja e çmimit të naftës përdoret si referencë për të paktën 140 produkte të tjera.
Dukagjini: A mendoni se buxheti prej 3.2 miliardësh i plotëson nevojat e shtetit të Kosovës dhe sa i adreson kërkesat e qytetarëve?
Bajrami: Kosova ka shumë nevoja, gjithmonë nevojat janë më të mëdha sesa janë mundësitë buxhetore, por obligim i Qeverisë është që të adresojë problemet e qytetarëve, bizneseve e të gjitha kategorive që duhet t’u shërbejë, kjo qëndron te arti i shpërndarjes së buxhetit.
Dukagjini: Cilat fusha i ka mbuluar më mirë buxheti për vitin 2023 dhe cilat janë lënë anash, sipas dokumentit që ju e keni parë?
Bajrami: Pavarësisht se ka pasur trumbetime se ka pasur rritje në shumë fusha, kur buxheti shikohet në terma realë, kjo del të mos jetë e vërtetë.
P.sh. buxheti që u është ndarë komunave në terma absolut është më i madh se vitin e kaluar, por kur e shohim si përqindje e buxhetit të tërësishëm, është për rreth 1.5 për qind më i vogël krahasuar me 2022; e njëjta që për buxhetin e ndarë për arsim, në terma absolut është më i madh, por si përqindje e buxhetit total është më i vogël se buxheti i vitit 2023.
Ndërkaq, ka shumë pak buxhet për rini, vetëm 2 milionë të MKRS-së; ka shumë pak buxhet për ambient, vetëm 6 milionë euro te Ministria e Infrastrukturës; nuk ka buxhet fare për gratë, vetëm 40 mijë euro subvencione te Agjencia e Barazisë Gjinore; nuk është paraparë asnjë rritje e buxhetit për Fondin për Sigurime Shëndetësore; nuk ka mbështetje konkrete për sektorin privat, dhe janë mbi 270 milionë euro të pashpërndara te MFT, buxhet ky pa asnjë projekt, pa asnjë zotim, i cili sigurisht se do të shpërndahet për të blerë paqe sociale në momente të caktuara gjatë vitit 2023.