Intervistë| Jabllanoviq flet në lidhje me zgjedhjet dhe situatën e krijuar nga Lista Serbe në veri të Kosovës

"Mendoj se kjo thirrje për kryengritje nuk është bërë me qëllim që të mbrohen serbët në veri të Kosovës, meqë nëse dëshironi t’i ruani serbet, atëherë nuk do t’i ftoni në kryengritje. Kjo është thirrje që e bëjnë disa njerëz  që e kanë humbur kontaktin me realitetin këtu në terren"

Aleksandër Jabllanoviq nga Partia Serbe e Kosovës

Aleksandër Jabllanoviq, drejtues i Partisë së Serbëve të Kosovës, që do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 23 Prillit në veri, në një intervistë për Radio Dukagjinin, ka folur për parashikimet rreth mbajtjes së këtyre zgjedhjeve dhe në përgjithësi për situatën e sigurisë në këtë pjesë.

Ministri i shkarkuar në Qeverinë Mustafa, në shkurt të 2015, dhe dikur anëtar i Listës Serbe, ka akuzuar vetë Listën Serbe për tensionet në veri, duke shprehur drojën se mund të realizohen paralajmërimet për incidente, para dhe gjatë procesit zgjedhor.

Radio Dukagjini: Z.Jabllanoviq ,ju jeni partia e vetme që do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës më 23 prill, për të garuar për kryetar të Komunës së Leposaviqit. Marrë parasysh rrethanat në veri, a ishte e vështirë të merret vendimi për pjesëmarrje?

Jabllanoviq:

Mund t’ju them se jemi partia e vetme politike serbe që do të dalë në këto zgjedhje. Kandidati tjetër është nga radhët e Nismës qytetare, derisa vendimi ishte i komplikuar për faktin se koha e shpalljes së tyre si të jashtëzakonshme dhe rrethanat që çuan në këto zgjedhje, ishin të komplikuar dhe të dirigjuara nga Lista serbe.Ju e dini se serbët kanë braktisur institucionet në nivelin lokal në veri dhe u krijua një vakum,të them para së gjithash juridik, dhe për ne, që këtu jetojmë,  shumë më i rrezikshëm i sigurisë. Institucionet nga Prishtina duan që këtë vakum ta mbulojnë duke jetësuar këto zgjedhje në veri dhe jemi të vetëdijshëm që Lista serbe po tenton këtë ta pengoj, andaj ishte shumë e vështirë të merret vendimi dhe  t’i mbledhim e bindim njerëzit që të dilet në këto zgjedhje”.

Radio Dukagjini: Më thuani si do të rrjedhin sipas jush këto zgjedhje  a ka shpresë që një pjesë e serbëve të marr pjesë dhe cilat janë sfidat për mbajtjen e tyre?

Jabllanoviq:

Zgjedhjet nuk kanë qenë asnjëherë të thjeshta për t’u mbajtur dhe janë përcjellë me incidente të ndryshme, para së gjithash të natyrës fizike, por edhe me kërcënime, edhe në kohën kur Lista serbe merrte pjesë. Kjo për faktin se ata nuk lejonin asnjë lloj të konkurrencës politike dhe kjo ka zgjatur rreth nëntë vjet. Ata pretendojnë se kanë të drejtë, jo në faktin  se kush fiton në zgjedhje por  a do të ekzistojnë apo jo institucionet. Mendoj se serbët gjithsesi do të dalin në zgjedhje në komunën e Leposaviqit. Jemi bazuar në këtë komunë meqë këtu e kemi fortifikatën më të fortë. Në këtë moment mund të them se ne kemi mbi 90 njerëz nga komuna e Leposaviqit, aktivisht të angazhuar për të na ndihmuar në organizimin dhe jetësimin e këtyre zgjedhjeve, flas për partinë tonë politike. Bojkoti i serbëve do të jetë evident në komunat Mitrovica e  veriut, veçan dhe Zubin Potok, dhe për këtë  nuk ka fare  dyshim. As në Leposaviq nuk do të jetë dalja  çfarë e ka pasur Lista Serbe në periudhën e kaluar, meqë për Listën serbe kanë votuar, në masë të madhe, votuesit e vdekur, kanë votuar ata që janë sjellur nga Serbia qendrore, dhe arsye për këtë ishte një listë e gjatë  zgjedhore nga ana e KQZ-ës për komunat në veri të Kosovës”.

Radio Dukagjini: Ka paralajmërime se mund të ketë incidente, dhe ato jo të lehta. Çka mendoni?

Jabllanoviq:

“Mendoj se këtë duhet marr me seriozitetin më  të lartë, meqë jemi mësuar nga situatat dhe përvojat e mëhershme se Lista serbe nuk luan fer, ndershëm dhe në mënyrë demokratike. Fakti që ata nuk marrin pjesë në zgjedhje nuk do të thotë se ata do t’u lejojnë opsioneve tjera politike  që t’i zhvillojnë zgjedhjet dhe të arihet tek bartja normale dhe e qetë e pushtetit. Për mua si njeri që merrem me politikë ,është  para së gjithash me rëndësi që asnjë institucion kosovar nuk e ka penguar Listën serbe që të paraqitet në këto zgjedhje, kjo ishte ekskluzivisht dëshirë dhe vendim i tyre. Shpresoj  që institucionet, para së gjithash KFOR-I,EULEX-I dhe Policia e Kosovës, do të krijojnë klimë që siguria të garantohet, që zgjedhjet të zhvillohen, pa mundësinë që persona të caktuar nga këto hapësira apo të sjellur nga Serbia Qendrore, ne mënyrë fizike  të pengojnë procesin zgjedhor  dhe të kërcënojnë kandidatët dhe votuesit.Por duke njohur Listën Serbe, njerëzit që e udhëheqin dhe metodat që i përdorin,unë për fat të keq, nuk do ta përjashtoja asesi  dhunën disa ditë para dhe në ditën e zgjedhjeve. Dhuna është e mundshme, për këtë po flitet edhe në kafeteritë në veri, gjatë bisedës me njerëzit, ata frikësohen çfarë do të jetë reagimi nga Lista serbe, por më së shumti më frikëson se ata janë shumë të heshtur, meqë kur ata heshtin do të thotë se diç po përgatisin”.

Radio Dukagjini: Z.Jabllanoviq, kur flasim për situatën ,kishte thirrje për kryengritje nga ana e Listës serbe. Cili është qëndrimi i Partisë suaj?

Jabllanoviq:

“Mendoj  se kjo thirrje për kryengritje nuk është bërë me qëllim që të mbrohen serbët në veri të Kosovës, meqë nëse dëshironi t’i ruani serbet, atëherë nuk do t’i ftoni në kryengritje. Kjo është thirrje që e bëjnë disa njerëz që e kanë humbur kontaktin me realitetin këtu në terren. Mendoj para së gjithash për Goran Rakiqin dhe Igor Simiqin, të cilët ftojnë gjatë fjalimeve serbët në kryengritje: kundër kujt ,për çka?.

Mendoj që kjo thirrje është para së gjithash thirrje për mbrojtjen e fuqisë së tyre politike dhe ndikimit që e fituan në forma të ndryshme, e më së paku atë demokratike. Mendoj se lidhur me këtë çështje, institucionet tashmë janë  vonuar shumë. Është dashur të reagojnë menjëherë. Unë jam serb dhe kushdo qoftë, shqiptar apo  i nacionalitetit e përkatësisë tjetër fetare e sulmon popullin tim, vendin tim, kam të drejtë të mbrohem. Por, në duhet të jemi real dhe të vetëdijshëm se ne nuk na ka sulmuar askush. Ne kemi një konfrontim politik mes nesh dhe institucioneve në Prishtinë  dhe të tillë e kemi edhe brenda serbëve dhe këtë duhet zgjidhur  në nivel politik  e jo të ftohet populli në kryengritje. Lista serbe e ka ftuar vitin e kaluar popullin në barrikada ,populli nuk deshti ta dëgjoj dhe këtë opinioni në Kosovë duhet ta dijë, Por, serbët nga Kosova  janë detyruar, meqë u kërcënuan  se do të humbasin vendet e punës, ndihmën sociale dhe të drejtat tjera që u takojnë, poqese nuk shkojnë në barrikada.

Sa i përket kryengritjes që po e paralajmëron Lista serbe unë publikisht po lajmërohem i pari se do t’i bashkëngjitëm nëse shoh se në këtë kryengritje po marrin pjesë gratë, fëmijët, prindërit, kumbarët dhe miqtë e funksionarëve të Listës serbe. Ata le të nisen të parët dhe çfarëdo që të jetë kryengritja, ne do të shkojmë pas, e jo ata t’i dërgojnë fëmijët e tyre në Beograd dhe pjesë tjera në Serbinë Qendrore  dhe Evropë ,e nga ana tjetër, të ftojnë popullatën e  cila mezi po mbijeton”.

Radio Dukagjini: Në komunikatë keni cekur se ky është stad i fundit i çmendurisë së Listës Serbe.

Jabllanoviq:

“Unë kështu realisht mendoj. Thjesht jetojmë në një hapësirë ku duhet të themi se jemi ngopur me kryengritje e revolucione dhe çdo gjë që na shtyt në konflikte. Mendoj që çdo njeri normal këtë duhet ta gjykoj  dhe mendoj para së gjithash që nga goja e një njeriu normal fjalët e tilla as që duhet dëgjuar. Diçka e madhe nuk është në rregull te Lista serbe dhe udhëheqësit e saj, sinqerisht mendoj se ata ndoshta  kanë humbur lidhjen me realitetin, apo ndoshta janë lucid dhe po bëjnë thirrje për aksione të tilla. Për ç’arsye t’i ftojmë serbët në kryengritje”?  Për arsye se janë larguar targat KM?  E tash duhet pyetur: kush e lejoi këtë? Këtë e ka nënshkruar delegacioni ynë në Bruksel dhe këtë duhet thënë serbëve dhe jo t’u thuhet se ne në Bruksel nuk kemi nënshkruar asgjë dhe tash  gjoja se  neve shqiptarët po na marrin diçka. Është e saktë se ka gjëra ku shqiptarët punojnë kundër nesh, por disa gjëra i ka nënshkruar Beogradi dhe një ndër to janë targat. Nuk i ka inkuadruar Prishtina pjesëtarët e MUPI-it në Policinë e Kosovës, por këtë e ka bërë Beogradi. Nuk e ka inkuadruar Prishtina ‘Mbrojtjen Civile’ në institucionet e Kosovës, por këtë e ka bërë Beogradi. Tash Lista Serbe dëshiron t’i laj duart për të gjitha këto dhe të fajësoj një armik imagjinar nga Prishtina”.

Zgjedhjet në katër komunat në veri pritet të mbahen më 23 prill. Këto zgjedhje i ka bojkotuar Lista Serbe.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika