Anthony Joshua është një ndër boksierët më të spikatur në botë.
Emri i tij lidhet gjithmonë me meçet më të forta në botë, kurse kënaqësinë që të stërvitet me të e ka boksieri me prejardhje shqiptare, Agron Smakiçi.
Në një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjinin, ai është shprehur për bashkëpunimin me anglezin.
“Po, kam ushtruar me Anthony Joshuan. Përveç se boksier i talentuar, ai është tejet miqësor edhe jashtë kamerave”, ka thënë Smakiçi.
32-vjeçari, ka folur për vetën e tij dhe ka treguar se si nisi rrugëtimin e punës së tij profesionale si boksier.
“Jam boksier profesionalist, nga 20 ndeshje që kam zhvilluar kam 18 fitore me nokaut, kurse në botë jam numër 50”, ka treguar ai, duke shtuar që trajner i tij është Ivan Filipovic, nga Zagrebi i Kroacisë.
E kur vjen puna te Kroacia, ai ka rrëfyer edhe për familjen e tij.
“Unë jetoj në Kroaci, nënën e kam nga Zagrebi”, ka thënë ai, por sipas tij, kjo ndryshon te babai, i cili vjen nga Drenica.
Ai ka treguar që pikërisht babai i tij është pikërisht arsyeja që ai ka nisur me boksin, sepse njëjtë sikur ai – edhe i ati është marrë me boks.
“Boks kam filluar kur i kam pasur 15 vjet”, ka treguar Smakiçi, por ai ka zbuluar që para se të merrej me sportin luftarak, ka luajtur edhe futboll.
Smakiçi, i cili mësimet më të mëdha thotë se i mërr nga Anthony Joshua, për fund ka treguar që ëndrra e tij më e madhe mbetet që të zhvilloj një luftë në Kosovë.