Kosova e pasluftës, rrënojat e shtëpive dhe humbja e njerëzve të dashur kanë qenë të freskëta për shumë vite me radhë.
Por, formimi dhe vazhdimi i institucioneve ka qenë i domosdoshëm që vendi të ngrihet në këmbë dhe jeta e qytetarëve të Kosovës të fillojë të normalizohet.
Në mesin e shumë mekanizmave shtetërorë të cilët kishin rifilluar punën pas një kohe shumë të vështirë për popullin tonë, ka qenë edhe Filharmonia e Kosovës, institucioni më i lartë i muzikës në vend.
Historia e themelimit bazohet në orkestrat dhe ansamblet e vogla të cilat kanë funksionuar në Kosovën e paraluftës.
E kujt i bie ndërmend për muzikën në atë kohë, për koncerte e ngjarje kulturore kur të gjithë ishin në vuajtje, por vendi duhet të rimëkëmbej dhe bashkë me të edhe jeta kulturore.
Në një intervistë për Portalin Dukagjini ka rrëfyer si rrallëherë drejtori, Baki Jashari, i cili për më shumë se një dekadë e gjysmë është në krye të Filharmonisë së Kosovës.
Baki Jashari, i cili që nga koha e paraluftës ka qenë pjesë e zhvillimeve në fushën e kulturës, ka treguar se si ka rrjedhur gjithë procesi deri në themelimin e Filharmonisë së Kosovës.
“Në vitin 1975 është themeluar orkestra simfonike e Radio Televizionit të Prishtinës, ndërsa në vitin 1980 është themeluar kori, pra në të njëjtën shtëpi kanë funksionuar dy njësi deri në vitin 1990. Por në kuadër të RTP-së kemi pasur një varg ansamblesh dhe formacionesh që kanë mbuluar të gjitha sferat e muzikës, stileve dhe zhanreve, p.sh. ka pasur orkestër popullore, ansambël më mirë të thuhet, ku ajo ka qenë në tri versione, ansambli popullor i shqiptarëve, turqve dhe serbëve, sipas çelësit që ka ekzistuar atëherë në ish-Jugosllavi”.
“Pra ne kemi pasur orkestra si të Filharmonisë të cilat nuk e kanë pasur emrin Filharmoni në kuadër të një institucioni shtetëror të asaj kohe që ka figuruar që nga viti 1975 në mënyrë të organizuar. Por nëse shkojmë të bëjmë ndonjë monografi për të analizuar gjenezën, qysh në vitet e 50-ta ka pasur ansamble komertale dhe pionierët e parë në këtë fushë, në organizim institucional kanë qenë Lorenc Antoni dhe Rexho Mulliqi si gjenerata të para, pastaj u janë bashkëngjitur Fahri Beqiri, Zeqirja Ballata dhe Rafet Rudi”, ka thënë Jashari.
Në kohën kur kanë funksionuar orkestra dhe kori, koncertet kanë qenë të pakta por festivalet nuk kanë munguar dhe gjithë fokusi i aktivitetit koncertal në atë kohë është zhvilluar në ditët e muzikës kosovare në Gjakovë, ngjarje kjo e cila ishte organizuar çdo vit deri në vitin 1990, kur forcat serbe me dhunë kishin mbyllur të gjitha institucionet duke filluar nga shkollat fillore e deri tek universitetet.
Prandaj edhe jeta kulturore në Kosovë për një dekadë ka stagnuar për t’u rikthyer në vitin 2000, në Kosovën e pasluftës me institucione muzikore, për të rikthyer kështu jetën kulturore dhe për ta zhvilluar atë.
“Gjatë pranverës të vitit 2000 kanë filluar hapat e parë të rithemelimit, riaktivizimit të orkestrës simfonike, ndërsa iniciatorët kryesorë kanë qenë Bahri Qela, dirigjent i gjeneratës së vjetër, i pari në Kosovë i cili ka qenë shumë aktiv dhe Edi Shukriu, akademike në vetëqeverisjen e përkohshme në UNMIK e cili e ka pasur për detyrë të riaktualizojë jetën kulturore institucionale. Dhe, si rrjedhojë, në shtator të vitit 2000 edhe zyrtarisht 26 shtatori njihet si dita e themelimit të Filharmonisë së Kosovës”.
“Unë vazhdimisht insistoj që kur bisedohet për termin Filharmoni e Kosovës, në terma historik të ndërlidhet me orkestrën simfonike të Radio Televizionit të Prishtinës, sepse kjo e krijon pavarësisht vakumit 10-vjeçar, është pikërisht edhe me njerëzit të cilët kanë punuar në orkestër edhe që janë shpërndarë pastaj në grupe për shkak që s’ka pasur orkestër, dhe kur është rithemeluar kanë qenë pjesë e Filhamonisë së Kosovës”, ka shtuar drejtori.
Filharmonia e Kosovës për gjithë këto vite numëron vetëm tre udhëheqës, Antonio Gashi i cili ka qenë drejtori i pari i këtij institucioni për tri vjet, pastaj kompozitori dhe akademiku, Rauf Dhomi deri në vitin 2006 kur edhe është emëruar drejtor Baki Jashari, i cili vazhdon edhe sot të mbetet në pozitën e njëjtë duke u bërë edhe drejtori më jetëgjatë i Filharmonisë.
Gjatë këtyre gjashtë viteve të para kanë ndodhur zhvillime të cilat sa kanë qenë të mira, në të njëjtën kohë kanë qenë procese shpejt të ndodhura, nga të cilat është formuar edhe një institucion në vete, por i cili është ngatërruar gjithmonë me termin e Filharmonisë e që është Opera.
“Në vitin 2003 ka ndodhur një ngjarje interesante në këtë institucion, paksa e çuditshme por duhet të trajtohet nga perspektiva kohore si tendencë pozitive, edhe pse ka qenë futuriste, e parakohshme, themelimi i operës, këtë e ka bërë drejtori i dytë Rauf Dhomi, menjëherë pasi e ka marrë mandatin, dhe pavarësisht që ka pasur mendime shumë kritike pasi Filharmonia veçse ishte në fillimet e saj, aq më tepër një keqkuptim që edhe sot është prezent nëpër disa instanca ku termi Filharmoni është edhe Opera e Kosovës”.
“Por janë dy institucione krejtësisht të ndara edhe me legjislacion, me ndërtesë dhe me program, sado që këto dy institucione prodhojnë muzikë serioze ato i kanë të ndara orientimet e tyre programore dhe veprimtarinë”, ka theksuar ai.
Tashmë janë bërë 22 vjet që nga themelimi i institucionit më të lartë muzikor në vend, i cili kishte filluar vetëm me 12 anëtarë, ndërsa tani ka një numër të konsiderueshëm të muzikantëve të cilët janë të angazhuar në koncertet të cilat i organizon Filharmonia e Kosovës.
Drejtori më jetëgjatë i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari ka treguar edhe për “kushtet” të cilat i ka pasur në kohën kur është zgjedhur udhëheqësi i këtij institucioni muzikor.
“Në kohën kur unë jam zgjedhur, kam pas disa kushte ndoshta specifike që më së pari si drejtues institucional unë të kem edhe lirinë për të dirigjuar, sepse ai ka qenë vokacioni im edhe pikërisht atë vit, pra në vitin 2006 është miratuar ligji i Filharmonisë, Operës dhe baletit të Kosovës që edhe sot është në fuqi e që është paradoks që nuk ka pasur përditësim apo ndryshim apo edhe ligj të ri”.
“Unë e kam marrë Filharmoninë në një gjendje shumë të keqe, me sa mbaj mend orkestra dhe kori për 5 muaj me radhë nuk kanë pasur koncert fare. Më kujtohet që nga Ministria e Kulturës më kanë dhënë disa sugjerime që të filloj me disa grupe të vogla dhe unë, natyrisht, krejt ndryshe e kam parë, e kam pasur një vizion që në atë kohë që edhe sot, pas 16 vjetësh, është vizion që nuk përfundohet”, ka shtuar më tej.
Jashari ka shpalosur edhe ngjarje të cilat kanë ndodhur në fillimet e punës me anëtarët e Filharmonisë, për të cilët ka thënë që nuk i kanë përballuar fluksit të madh të punës dhe janë larguar nga ky institucion.
“Unë kam qenë shumë këmbëngulës edhe menjëherë kemi filluar me koncerte simfonike, dhe natyrisht që s’ka qenë e lehtë, sepse ka pasur edhe muzikantë brenda Filharmonisë, të cilët pas disa javësh të punës intensive kur kam filluar unë, janë larguar nga Filharmonia, sepse ka qenë një dinamikë e ashpër, e fuqishme. Njëkohësisht e kam angazhuar dirgjentin Rafet Rudi, i cili ka qenë edhe themelues i korit të RTP-së në vitin 1980 dhe ky ka qenë vizioni, një nga pikat kryesore që ne të bëjmë një lidhje mes së tashmes dhe së kaluarës”, ka shtuar ai.
Por vizioni i tij nuk përfundon me kaq, në vitin 2007 Filharmonisë i bashkohet edhe japonezi Toshio Janagisava, i cili edhe bëhet dirigjenti permanent i këtij institucioni muzikor.
“Kam pasur fatin që ta njoh një japonez i cili ka punuar në Shkup për disa vite. Ka shprehur interesim të vijë edhe në Kosovë dhe unë i kam dhënë mundësi, nuk e kam njohur, nuk kam ditur çfarë kualitetesh i ka si dirigjent i ri, dhe pas koncertit të parë që e ka mbajtur në mars të vitit 2007, unë e kam parë kapacitetin dhe vullnetin e tij për ta çuar përpara orekstrën dhe ai praktikisht zhvendoset nga Japonia dhe jeton në Kosovë. Nga viti 2007 në mars më le përshtypje të jashtëzakonshme në punën e tij në koncertin e parë dhe në lidhim kontratë disavjeçare dhe sot e kësaj dite Toshio Jangisava, dirigjent nga Tokio, eshte dirigjent permanent i Filharmonisë së Kosovës. Kjo është një pozitë që tregon që dikush kujdeset në kuptimin afatgjatë për orientimin profesional të institucionit”, ka potencuar Jashari.
Përpjekja për ta ngritur në këmbë Filharmoninë padyshim ka qenë një sfidë në vete, por koncertet për të marrë rëndësinë e duhur duhet të kenë edhe publikun, sepse ky është edhe misioni për të cilin kanë punuar me shumë përkushtim muzikantë të shumtë, vetëm e vetëm që të prezantojnë vlera para audiencës.
“Çështja e publikut shumë ka qenë për mua e rëndësishme, kujt t’i bëjë muzikë Filharmonia, 20 njerëzve në sallë e ne më shumë se 50 muzikantë në skenë, kjo ka qenë sfida kryesore sepse ti me kurrfarë ftese nuk mund të sjellësh publikun, aq më tepër, për një muzikë që nuk është e popullarizuar sikur këto zhanret e tjera ku në start i ke me mijëra njerëz”.
“Kështu që, fokusi me dirigjentin Toshio ka qenë si ta sjellim publikun, jo me ftesa po me performancë, me kualitet, me zgjedhje të programit dhe unë mendoj që nëse i referohemi situatës aktuale edhe mundësive të cilat na janë paraqitur ndër vite për të mbajtur edhe koncerte në ambient të jashtëm është vërtetuar që Filharmonia tashmë falë një pune vërtet me përkushtim ka arritur që numrin e publikut ta rrisë”, ka thënë drejtori.
Ndërkaq ka përmendur edhe dy koncertet e fundit të cilat i kanë mbajtur në ambient të hapur, të cilat kanë rezultuar mjaftë të suksesshme duke mbledhur rreth 2 mijë e 500 njerëz në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shtuar se audienca kosovare është edukuar shumë në aspektin e vlerësimit të muzikës aritistike ndër vite.
“Në vitin 2022, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kemi organizuar koncert në ambient të hapur me 280 performues në skenë, dhe kjo ka dëshmuar fakti që vjen ai publik ulet në karrige dhe rri një orë e gjysmë dhe nuk dëgjon as zhurmë as fishkëllim, dhe kalimtarët e rastit janë ndalur dhe kanë dëgjuar dhe nuk kemi pasur as edhe një akses më të voglin. Përkundrazi, vazhdimisht problem me numrin e karrigeve që nuk kemi mundur t’i sigurojmë dhe njerëzit i kanë shfrytëzuar edhe shkallet e teatrit si ulëse, dhe kjo tregon se Filharmonia nuk do ta kishte orientimin nëse nuk do të sillte performanca interesante. Ne kemi interpretuar Bethovenin, nuk kemi bërë muzikë, Rita Ora apo Dua Lipa”.
“Ajo çka është më interesantja, në korrik të këtij viti në kuadër të festivalit të Ramë Lahajt kanë qenë prezent më shumë se 3 mijë njerëz, dhe 2 mijë e 800 bileta janë shitur. Ky ka qenë bashkëpunim, natyrisht, Filharmonia me festivalin e Ramë Lahaj, por Filharmonia e ka pasur barrën kryesore, sepse orkestra ka qenë e Filharmonisë dhe kjo ka treguar se audienca jonë tashmë është edukuar dhe prezenca e tyre çdo vit e më shumë po rritet në koncerte”, ka shtuar Jashari.
Më tej, ka thënë që misioni i këtij institucioni është shumështresor, ofrimi i vlerave, artit për publikun e gjerë edhe pse në përbërje ka multietnicitet. Kosova identifikohet si shtet në vendet e tjera dhe prezantimi i Filharmonisë në vendet e tjera lë përshtypje dhe ngrit imazhin e vendit.