Ish-anëtari i Ekipit të Unitetit, Lutfi Haziri, njëherit nënkryetar i Lidhjes Demokratik të Kosovës(LDK), ka rrëfyer disa detaje se si kishte arritur shoqëria kosovare të krijonte Ekipin e Unitetit për bisedimet e Vjenës, që pas këtyre bisedimeve, pasoi shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke i dhënë fund protektoratit ndërkombëtar në Kosovë.
Anëtarët e këtij grupi kishin qenë ish- presidenti, Hashim Thaçi, ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, Lutfi Haziri, Ardian Gjini, Enver Hoxhaj, Agim Çeku, Ylber Hysa, Skender Hyseni, Blerim Shala, Veton Surroi dhe disa të tjerë.
Lidhur me këto bisedime, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka folur Lutfi Haziri.
Dukagjini: Cili ishte roli kryesor i Ekipit të Unitetit në bisedimet e Vjenës për çështjen e Kosovës?
Haziri: Roli kryesor i Ekipit të Unitetit në rolin e definimit të statusit të Kosovës, ka qenë ndërtimi i koncensusit politik në mes të partive politike të përfaqësuara në Kuvend dhe përtej kësaj, i cili ka nënkuptuar që përveç presidentit, kryekuvendarit, kryeministrit edhe dy përfaqësues të opozitës, të përfshihen në ekipin e madh të unitetit, ndërsa strukturat e tjera si grupi politik dhe grupit të ekspertëve, kanë qenë të përfshira nga të gjitha segmentet e shoqërisë së Kosovës. Praktikisht, është ndërtuar një koncenzus i plotë përmes këtij mekanizmi, për çështjen e statusit politik të Kosovës.
Dukagjini: Sa të konsoliduar ishit si grup, si arritët t’i kaloni dallimet partiake e ideologjike?
Haziri: Ka qenë mjaft i konsoliduar, sepse kanë qenë përgjegjësitë e ndara, secili prej përfaqësuesve institucionalë e ka pasur rolin e vet, në të cilin, në formatin e Grupit të Unitetit, formula e përfaqësimit, siç e theksova. Ndërsa, në substrukturë, përveç grupit politik, i cili ka qenë mekanizmi kryesor për të prodhuar politika, ka pasur edhe shumë grupe teknike, grupe punuese e grupe të ekspertëve, të cilët kanë diskutuar, kanë harmonizuar dhe kanë sjellë qëndrime dhe politika, në mënyrë që negociatat të dalin sa më të suksesshme. Praktikisht, kemi të bëjmë me një konsolidim të të gjitha hallkat e pushtetit në raport pozitë-opozitë-shoqëri civile, institucione sikurse është Akademia e Shkencave dhe institucionet e tjera shkencore, të cilat kanë qenë të informuara ose kanë prodhuar p
olitika për Ekipin e Unitetit.
Dukagjini: Cila ishte pika ma e fortë e grupit të unitetit në raport me palën serbe?
Haziri: Ka qenë uniteti. Përfaqësimi ynë ka qenë jashtëzakonisht i mirë, pa asnjë dallim në çështjet që kanë qenë pjesë e negociatave, ndërsa është folur për të ardhmen e Kosovës, përpos statusit politik, edhe rregullimi i brendshëm i Kosovës dhe të gjitha çështjet që kanë qenë pjesë e negociatave dhe kompromiseve, kanë qenë në harmoni të plotë për në aspektin e miratimit të politikave. Vendimmarrja ka qenë e shkallëzuar, sepse dokumentin në shkallë të parë është punuar nga grupet punuese, ka kaluar në shkallën e dytë që ka qenë grupi politik dhe ky i fundit pasi e ka përpunuar materien, ia ka dorëzuar në formë të opsioneve Ekipit të Unitetit, i cili ka definuar qartë edhe vendimmarrjen, strategjinë e negociatave dhe kompromiset eventuale.
Dukagjini: A ishte ndërmjetësues i drejtë Grupi i Kontaktit në raport me Kosovën?
Haziri: Grupi i Kontaktit i ka vendosur parimet e shëndosha në takimin e janarit të vitit 2005 dhe në kuadër të këtyre parimeve, ndërmjetësi ndërkombëtar z. Ahtisaari, i ka zbatuar këto qëndrime. Këto parime kanë qenë udhërrëfyesi kryesor, i cili ka çuar drejt definimit të statusit politik të Kosovës.
“Ekipi i Unitetit” negocionte me një palë nga Serbia nën ndërmjetësimin nga “Grupi i Kontaktit”, në të cilin, bënte pjesë edhe Marti Ahtisaari.
Deklarata e Ekipit të Unitetit
Me rastin e përfundimit të procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe dorëzimin e raportit të treshes (ShBA-BE-Rusi) te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ekipi i Unitetit ka lëshuar një deklaratë të posaçme, në të cilën thuhet:
“Për më shumë se dy vjet si Ekip i Unitetit, që ka përfaqësuar popullin e Kosovës, kemi marrë pjesë në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës. Bisedimet e fundit të udhëhequra nga treshja ShBA-BE-Rusi, që përfundojnë më 10 dhjetor, nuk kanë sjellë asnjë rezultat të pranueshëm për Beogradin dhe Prishtinën.
Pas tetë vjetëdh paqartësie, populli i Kosovës ka nevojë urgjente për qartësi të së ardhmes së vet. Propozimi i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, z. Marti Ahtisari, duke përfshirë edhe rekomandimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur, si dhe pakon e masave për mbrojtjen e minoriteteve të Kosovës, ofron një bazë solide për ta çuar Kosovën dhe rajonin drejt një të ardhmeje më të ndritur euroatlantike.
“Mbesim të përkushtuar dhe të gatshëm që të marrim obligimet e përfshira në atë propozim. Ne, së bashku me anëtarët e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, synojmë të punojmë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për ta zgjidhur statusin e Kosovës. Më herët, para treshes kemi bërë një zotim pa kushte për të mos përdorur dhunë, kërcënime apo frikësime. Këtë përkushtim e përsërim sot edhe një herë, duke u zotuar se do të bëjmë çdo gjë brenda fuqive tona për të siguruar që situata e sigurisë në Kosovë të mbetet e qetë”.