Cilki i dokumentarëve, ‘Gjurmë Shqiptare’ me autorin Marin Mema, në Top Channel Albania përfshin një audiencë të të gjitha moshave.
Në ‘Gjurmë Shqiptare’ trajtohen tema historike, që përfshijnë zbulimin e zonave të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, promovimin e copëzave të panjohura, shpalosjen e kulturës e trashëgimisë. Të gjitha këto të ndërthurura me të sotmen bëjnë që audienca e përthithur të jetë e konsiderueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Marin Mema, autor i ‘Gjurmë Shqiptare’, në një intervistë për Portalin Dukagjini për idenë kryesore të krijimit të këtij emisioni ka thënë se ka qenë gjithmonë dëshira për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën për aq sa mundet.
“‘Gjurmë Shqiptare’ ka lindur si një dritare, një hapësirë, ku dokumentohen, rrëfehen, shpluhurosen, tregohen, hetohen, histori të ndryshme, pjesë të harruara, gjurmë të fjetura apo te deformuara nga ata që nuk i kanë dashur asnjëherë shqiptarët”, ka thënë Marin Mema.
Mema tha se kemi nevojë të njohim historinë tonë dhe njerëzit që kanë sakrifikuar për këtë tokë gjithçka që kishin.
“Kemi nevojë të kuptojmë prej tyre. Kemi nevojë të nxjerrim në pah çdo element që na është grabitur, tjetërsuar, kemi nevojë të tregojmë gjithçka ashtu siç është. Kemi nevojë të ecim bashkë, sepse e gjithë historia, tradita, kultura, trashëgimia është e përbashkët. Këtë jemi përpjekur të sjellim përmes ‘Gjurmë Shqiptare’, të tregojmë të vërtetën”.
Marin Mema ka sqaruar se kjo duhet të bëhet, jo për të ngjallur urrejtje e ekstremizma, por, përkundrazi, për t’i dhënë baza më të sigurta së ardhmes.
Mesazhi që përcjell ‘Gjurmë Shqiptare’
Mema ka shpjeguar se “Gjurmë Shqiptare” kërkon të përcjellë historinë, traditën, trashëgiminë, të panjohurën, të harruarën, të fjeturën. Sipas tij, përmes tyre ne njohim më shumë vetveten, të shkuarën tonë, por edhe të ardhmen.
“Pa vendosur themele të forta, është e pamundur të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt. Një komb me identitet të fortë kombëtar është një komb më i fortë në tërësi. Ky është mesazhi që përcjell ‘Gjurmë Shqiptare’. Kemi nevojë të duam më shumë vendin tone, këtë tokë të shenjtë që meriton më shumë”.
Mema ka rrëfyer se ka pasur shumë vështirësi gjatë realizimit të këtij cikli dokumentarësh. Ai ka treguar se prej 10 vjetësh ka pasur sfida për shkak të dokumentarëve mbi shqiptarët e Çamërisë, por edhe mbi arvanitasit dhe fshatrat e tjerë shqiptarë të mbetur përtej kufirit.
Shpallja ‘Non Grata’ nga autoritetet greke
“Jam shpallur ‘Non Grata’ në Greqi. Pavarësisht se nuk kam bërë asgjë më shumë se të tregoj të vërtetën, autoritetet greke kanë marrë këtë vendim absurd. Ata mendojnë se gjërat mund të mbyllen duke shpallur ‘Non Grata’ një gazetar, por harrojnë se janë shumë të tillë që kanë punuar dhe punojnë për këtë gjë. E vërteta nuk shpallet dot ‘Non Grata’, sepse në çdo rast ajo del në sipërfaqe. Para se të merrej ky vendim ndaj meje, gjatë realizimit të dokumentarëve në Greqi, jam shoqëruar në komisariatet e Margelliçit, Gumenicës e Filatit, ku për orë të tëra na kanë marrë në pyetje. Kjo ka ndodhur rregullisht deri në marrjen e vendimit ekstrem të shpalljes ‘Non Grata’ më 19 gusht të vitit 2012”, ka rrëfyer Mema.
Ai vazhdon të tregojë se nuk ka pasur probleme vetëm në Greqi, por edhe në Maqedoninë e Veriut, kur në kohën e pushtetit të kryeministrit Gruevski ekipi realizues i “Gjurmë Shqiptare” është ndaluar dhe shoqëruar në stacionin e policisë së Shkupit nga njësia speciale “Alfa” ku janë mbajtur për disa orë.
Marin Mema rrëfen se ka pasur probleme, gjithashtu, edhe në Rekë të Epërme e Prilep.
“Gjatë dokumentarëve të realizuar në këto zona jemi ndaluar, kontrolluar dhe shoqëruar nga forcat e rendit disa herë. Kështu ka ndodhur edhe në Serbi përgjatë shumë dokumentarëve. Jemi ndaluar në zonën e Pazarit të Ri, në Peshter, jemi ndaluar gjatë realizimit të një dokumentari në fshatrat e vjetër shqiptar të zonës së Vojvodinës. Jemi ndaluar në Medvegjë, madje këtu policia ka ardhur gjatë natës edhe në hotelin ku qëndronim duke kontrolluar gjithçka që kishim, por sigurisht pa mundur të marrin materialet tona”, ka thënë Mema.
Mema për Portalin Dukagjini është shprehur se kontrolle, pengesa, madje edhe kërcënime të tilla kanë pasur në vazhdimësi, por kjo nuk i ka bërë që të tërhiqen.
Ai ka thënë se e gjithë kjo histori ka edhe anën tjetër. Autori i “Gjurmë Shqiptare” ka treguar se kanë realizuar dokumentarë në Itali, Gjermani e deri në SHBA dhe asnjëherë nuk kanë pasur probleme.
“Kjo, sepse vendet që nuk kanë asgjë për të fshehur janë të hapura. Në këto vende autoritetet na kanë ndihmuar e mbështetur, na kanë hapur dyert e arkivave e muzeumeve pa krijuar asnjë lloj pengese. Në të kundërt ata që nxjerrin policinë, agjentët, që kërcëllasin dhëmbët e marrin vendime ekstreme duan të fshehin të vërtetën. Por, e përsëris, e vërteta nuk fshihet. Ajo duhet të dalë në dritë, jo për të ngjallur urrejtje dhe ekstremizëm, por sepse e ardhmja ndërtohet më e sigurt kur bazat e saj vendosen mbi themelet e së vërtetës”.
Ndërsa, për realizimin e dokumentarëve që shfaqin një pjesë të errët, Marin Mema tha se institucionet shtetërore në raste të tilla nuk kanë reaguar.
“Asnjëherë nuk është parashtruar absurditeti i shpalljes ‘Non Grata’ të gazetarëve. Asnjëherë nuk është kërkuar llogari se përse kundrejt gazetarëve ndërmerren aksione të tilla ekstreme”.
I pyetur se nga përvoja në realizimin e këtyre dokumentarëve, cilat vende shqiptare janë më të asimiluara dhe nga cilat forma të asimilimit, Mema është përgjigjur se i dhimbsen pafund realitetet e prekura tek arvanitasit në Greqi, te shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, te shqiptarët e Tivarit, te shumë shqiptarë në Plavë e Guci, në Rrozhajë, në Manastir, Ohër, Rumani, Serbi e deri në Turqi.
Pasojat e asimilimit të shqiptarëve
Autori i “Gjurmë Shqiptare” tha se ka shumë vende ku gjenden shqiptarë të asimiluar dhe është e dhimbshme të kujtosh historinë e tyre.
“Është e dhimbshme kur të flasin shqip, kur të thonë se gjyshërit, nëna e babai, u kanë folur dikur shqip, por sot pasuesit nuk deklarohen shqiptarë. Është tragjike, është drithëruese dhe tregon më shumë se gjithçka se çfarë ka kaluar ky komb, valët e historisë, masakrave, shtytjeve, politikave asimiluese, por edhe mbijetesës. Pavarësisht gjithçkaje, ne jemi ende këtu në këmbë dhe duhet të punojmë për t’i zgjuar edhe më shumë nga ata shqiptarë që kanë humbur rrugën dhe janë asimiluar. Duhet të punojmë për këtë”.
Për emisionet që kërkojnë më shumë rrezik dhe guxim, Mema u shpreh se terreni, kërkimet, përballjet në raste të caktuara nuk janë të lehta, por dëshira për t’i shkuar deri në fund është shumë më e madhe. Ai tha se gazetaria është një mision, misioni i së vërtetës dhe për ta përmbushur duhet sakrifikuar.
“Dashuria për trojet shqiptare është e shenjtë”, thotë Mema.
Zbulimi i shpellës me eshtrat e njerëzve
Në maj të vitit 2021, në fshatin Gjuras jo larg qytetit të Peshkopisë, në bazë të disa të dhënave nga banorët e zonës, ekipi i “Gjurmë Shqiptare” zbuloi një shpellë të mbushur me eshtra njerëzore. Sipas vëzhgimit të parë këto eshtra i përkisnin fëmijëve.
Më 15 maj 2021 u formua një grup arkeologësh për të punuar në mënyrë profesionale, prej të cilit u gjetën disa të vërteta që duhej të vërtetoheshin me anë të analizave të specializuara që nuk kryhen në Shqipëri. Të dhënat e mbledhura nga grupi i arkeologëve u dërguan për analiza të specializuara në një laborator të njohur pranë Universitetit të Oxfordit në Britaninë e Madhe.
“Më parë, rëndësia e kësaj shpelle për arkeologët ishte e panjohur, madje në fillim një pjesë e tyre u treguan jo pak dyshues për zbulimin tonë. Duke i konsideruar eshtrat si të parëndësishëm për arkeologjinë dhe duke refuzuar ftesën për t’iu bashkëngjitur një grupi që do t’i hulumtonte në mënyrë të specializuar në terren”, thuhet në transmetimin e një dokumentari të “Gjurmë Shqiptare” më 29 janar 2022.
Se çka është zbuluar deri më tani për këtë çështje, Marin Mema thotë se ato i përkasin banorëve që kanë jetuar 1600 deri 1700 vjet më parë dhe misteri mbetet te shpella ku ato janë zbuluar.
“Përse gjendeshin aty? Çfarë përfaqësonte vërtetë ky vend? Kemi të bëjmë më një vendvarrim, më nje masakër apo me një vend të shenjtë pagan? Fakti që në fundin e kësaj shpelle shumë të ngushtë e të rrezikshme ndodhen me dhjetra kafka njerëzore i ka bërë arkeologët dhe studiuesit të kenë mendime të ndryshme për çfarë ka qenë dikur ky vend”.
Mema ka treguar se ende duhet të presin analizat, të cilat janë dërguar nga institucionet në ShBA.
Ai shton se prej tyre do të mund të kuptojnë më shumë duke rrëfyer se kanë të bëjnë me një zbulim që autoritetet e kanë vlerësuar si unikal në llojin e tij. Ai shpreson shumë që ato t’i shkojnë deri në fund.
Emisioni që u transmetua me titra në gjuhën angleze
Në një dokumentar të ‘Gjurmë Shqiptare’ të transmetuar më 19 shtator 2020 u trajtua tema e masakrave serbe ndaj fëmijëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky dokumentar përmbante pamje dhe të dhëna të këtij realiteti, duke e shoqëruar atë edhe me titrat në gjuhën angleze.
Të kuptuarit në gjuhën angleze dhuron mundësinë e të gjithë njerëzve të kuptojnë atë që po flitet.
Institucionet serbe nuk e priten mirë transmetimin e këtij dokumentari. Për këtë Mema tha se kush ka frikë nga e vërteta reagon duke kërcënuar.
Ai rrëfen se me ndihmën e shumë studiuesve, historianëve, njerëzve të apasionuar kudo në trojet shqiptare, në veçanti të bashkëpunëtorit dhe mikut të ngushtë Florent Hasani do të vazhdojnë punën e tyre.
“Do të vazhdojmë të tregojmë atë që është mbuluar apo është deformuar e grabitur. Kemi nevojë ta njohim historinë ashtu siç është”, Marin Mema.