Të jesh person me nevoja të veçanta në Kosovë, nuk është fare e lehtë. Personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar sfidohen çdo ditë për shkak të mungesës së kushteve në hapësira publike.
Sevdije Voca, themeluese e Shoqatës për Persona të Verbër dhe me Shikim të Dëmtuar “Drita Jonë”, e cila vetë është e verbër, thotë se në Kosovë ka mungesë të zbatimit të ligjit, sa i përket nevojave të personave të verbër.
Në një prononcim për Portalin Dukagjini, ajo thotë se ka mungesë të shërbimeve në institucione, dhe se infrastruktura rrugore nuk është e përshtatshme për personat me nevoja të veçanta.
“Mungesa e zbatimit të ligjit, mungesa për qasje për shërbime në institucione, mungesa e infrastrukturës rrugore, duke përfshirë semaforët akustikë, trotuaret që do ta lehtësonin lëvizjen e të verbërve. Mosofrimi i kushteve adekuate për punësimin e të verbërve”, ka thënë ajo.
Sipas saj, nëse krahasohet me vendet e tjera, vendi ynë ofron mbështetje më të vogël për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar, teksa shton se shoqëria i pranon në mënyrë të barabartë e pa diskriminime.
Nevojë tjetër, sipas Vocës, është edhe mungesa e asistentëve në shkolla fillore e të mesme për fëmijët me shikim të dëmtuar.
Sipas saj, është vetëm një numër i vogël i shkollave të Kosovës që ofrojnë shërbime adekuate për këtë kategori.
“Asistentët në shkolla për fëmijët me shikim të dëmtuar, janë shumë të nevojshëm, por vetëm një numër i vogël i shkollave e plotësojnë këtë nevojë për disa nxënës, jo për të gjithë që kanë nevojë”, ka thënë ajo.
Sevdije Voca, e cila e zotëron shkrim-leximin e alfabetit Brail, ka thënë se në fillim ka pasur probleme me sigurimin e fondeve, por pavarësisht kësaj, ia ka dalë me sukses.
“Procesi i shkrim-leximit në alfabetin Brail ka shkuar me disa vështirësi, si ka qenë sigurimi i fondeve, pajisjeve dhe materialeve Brail. Mirëpo me ndihmën e donatorëve kemi arritur rezultate të suksesshme dhe i kemi tejkaluar ato vështirësi, tani i kemi pesë anëtarë të shoqatës, të cilët janë të gatshëm për të ofruar mësime në shkrim-lexim”, ka thënë ajo.
Shoqata “Drita Jonë”, nën udhëheqjen e Sevdije Vocën, ka mbajtur një sërë aktivitetesh gjatë vitit. Nën moton “Të verbër në sy, por jo në zemër”, kjo shoqatë ka pasur për qëllim punësimin e personave të verbër.
Me ndihmën edhe të Ministrisë së Financave dhe me iniciativën e shoqatës, janë punësuar katër persona të verbër në katër biznese private.
Po ashtu, shoqata “Drita Jonë”, kishte shpërndarë pako ushqimore për 150 familje, të cilat ishin anëtare të shoqatës.
Gjithashtu, kjo shoqatë kishte zhvilluar dhjetëra takime të ndryshme, në të cilat, ishte diskutuar për personat e verbër dhe me shikim të dëmtuar.