Kosova gjatë vitit 2022 ka pësuar një krizë ekonomike dhe një inflacion rekord, të cilat u shënuan nga një luftë e re, ndërsa Qeveria e Kosovës në fund të këtij viti është me lëvdata për “të arriturat” në përballje me inflacionin.
Por, se cilat janë veprimet e partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përball kësaj gjendje, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka folur nënkryetarja Shqipe Mjekiqi.
Ajo ka thënë se partia e saj ka propozuar listën me një sërë masash për të tejkaluar krizën si pasojë e rritjes së çmimeve, përfshi edhe atë në sektorin e energjisë.
Sipas saj, LDK-ja ka kërkuar nga Qeveria të ndërmarrë masa para se kriza të thellohet më shumë në vendin tonë.
Mjekiqi ka deklaruar se kur partia e saj kishte konsideruar se ka një shkelje të Kushtetutës nga ana e Qeverisë i janë drejtuar Gjykatës, duke përmendur disa raste si “Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të destabilizimit në treg, dhe më herët Ligjin për Këshillin Prokurorial”.
Ajo ndaj akuzave për “keqqeverisje” nga ana e partisë në pushtet drejtuar LDK-së dhe partive tjera opozitare, ka thënë se keqbërjet e qeverive të kaluara nuk mund të jenë shfajësim për pasivitetin e vetë Qeverisë aktuale.
Mjekiqi qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje e ka quajtur si të mangët, pasi sipas saj, ajo nuk ka arritur të zgjidhë problemet kryesore të vendit.
“Në përgjithësi – qeverisje e mangët. Qeveria nuk ka arritur të zgjidhë, ose edhe të dëshmojë që është në rrugë të duhur për të zgjidhur, problemet kryesore të vendit, mbi të gjitha ekonominë dhe në kuadër të saj papunësinë sidomos në mesin e të rinjve”, është shprehur ajo.
Nga ana e nënkryetares së LDK-së, dialogu Kosovë-Serbi i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbetet jotransparent.
“Besimin për drejtimin e Qeverisë dhe rrjedhimisht edhe udhëheqjen me procesin e dialogut ia kanë dhënë qytetarët. Ne si LDK kemi ofruar platformën tonë për dialogun. Kemi qenë dhe mbesim kritikë ndaj Qeverisë për mungesën e transparencës në proces dhe kemi kërkuar vazhdimisht që Kryeministri Kurti të raportojë në Kuvend për ecurinë e procesit. Është në interes të Kosovës që dialogu të përfundojë sa më shpejtë, natyrisht me njohje reciproke”, ka deklaruar Mjekiqi.
Cili është qëndrimi i LDK-së për planin franko-gjerman?
Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi në lidhje me planin franko-gjerman, ka thënë se është bazë drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, plani franko-gjerman është bazë drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të koordinohet ngushtë me aleatët tanë në procesin e dialogut në mënyrë që të arrihet njohja reciproke dhe që të dyja vendet, pra Kosova dhe Serbia, të mund të ecin tutje në integrimin e tyre në BE”, ka thënë ajo.
Në lidhje me situatën e tensionuar dhe protestat e fundit nga ana e serbëve nëpërmjet barrikadave në veri të Kosovës, Mjekiqi ka treguar se si do duhej të vepronte Qeveria, e cila sipas saj, nuk kishte treguar asnjë plan për menaxhimin ne tërësi me situatën e krijuar në veri.
“Qeveria në çdo hap duhet koordinuar ngushtë me aleatët tanë sa i përket situatës në veri. Assesi nuk mund të veprojë e vetme. Qeveria nuk kishte treguar se kishte një plan për tërheqjen e këtyre barrikadave apo edhe për menaxhimin në tërësi me situatën e krijuar në veri të vendit”, është shprehur ajo.
Mjekiqi është pjesë e LDK-së tashmë e 16 vjet, por në vitin 2021 është zgjedhur nënkryetarë e partisë, ajo për Portalin Dukagjini ka treguar se çfarë e bëri atë që të ndërmarr një hap të tillë kur dihej se LDK kishte dalë e humbur nga zgjedhjet nacionale.
“Zgjedhjet e fundit parlamentare nxorën Lidhjen Demokratike me 12 për qind të votës qytetare. Duke qenë gjithnjë e afërt me LDK-në, duke e parë zhvillimet brenda saj për së afërmi në këto 16 vjetët e fundit, konsiderova që ky ishte momenti më i duhur për mua për të dhënë kontributin tim në rikthimin e LDK-së, dhe momenti kur LDK-së më së shumti i duheshin kuadro të reja. Kanë qenë të paktë atë që kanë besuar në rikthimin e saj dhe atë në një periudhë mjaft të shkurtër”, ka thënë Mjekiqi duke shtuar se nuk mund të imagjinojë skenën politike në Kosovë pa LDK-në në qendër të saj.
Sipas të dytës së LDK-së, pasi tashmë partia e saj ka mbushur 33 vjet, ajo ka përmendur se kryetari i ri, Lumir Abdixhiku, ka ndërmarrë një sërë reformash që nga ardhja e tij në krye të partisë.
“Afrimi i kuadrove të reja dhe bashkë më të edhe sjellja e ekspertizës nga fushat e ndryshme në parti, hartimi i një programi të ri që është në proces e sipër, riaktivizimi i lidhjeve me Partinë Popullore Evropiane dhe partitë tona simotra, si dhe zgjedhjet dhe riaktivizimi i strukturave tona në nivel lokal janë disa prej tyre”, ka thënë Mjekiqi.
LDK është njëra ndër partitë më të vjetra në vend, dhe si e tillë ka qenë pjesë e pushtetit duke dhënë edhe kryeministra e president, tani është partia e dytë opozitare, ndërsa, Mjekiqi është pyetur se çfarë do të ndërmarrin në vitin e ardhshëm për tu rikthyer në pushtet një ditë.
“Është e natyrshme të ketë alternim të pushtetit – pra në një kohë të jesh në pushtet, e në kohën tjetër në opozitë. Më e rëndësishmja është që sondazhet sot tregojnë që Lidhja Demokratike e Kosovës ka rritje të dukshme në nivelin nacional. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit lokale LDK shënoi rritje duke arritur të fitojë 9 komuna, më shumë se çdo parti tjetër (përjashtuar komunat me shumicë serbe). Me reformat e përmendura më lartë dhe më një angazhim të vazhdueshëm të t’gjithëve kemi arritur të jemi këtu ku jemi sot”, ka deklaruar ajo.
Mjekiqi në lidhje me zgjedhjet për Forumin e Gruas dhe për Forumin Rinor të LDK-së, ka thënë se do të punojnë bashkërisht me të dy këta mekanizma për të rritur përkrahjen e grave dhe të rinjve për Lidhjen Demokratike, që sipas saj është vitale.
“Pjesë e angazhimit tim do të jetë rritja e pjesëmarrjes dhe e përfaqësimit të gruas së Lidhjes Demokratike si në zgjedhje ashtu edhe institucione”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, ajo është pyetur se nëse një fraksion i LDK-së tani si parti më vete (Lista Guxo), mund t’i përsëritet LDK-së, si një çarje nga të “pakënaqurit” brenda subjektit politik me reformat, ajo ka thënë se pakënaqësitë nga pala tjetër nuk duhet të përfundojnë me ndarje.
“Fraksioni Lista-Guxo nuk ka qenë i vetmi që është ndarë nga LDK në të kaluarën, dhe këto fraksione kanë treguar që nuk i rezistojnë kohës. Asnjë parti s’mund të pengojë diçka të tillë, madje as ato në vendet më të zhvilluara demokratike por, pakënaqësitë nuk do të duhej përfunduar me ndarje kur ka vend dhe hapësirë për trajtimin e tyre”, ka deklaruar Mjekiqi.
Gjithashtu, ajo ka treguar se cilat do jenë veprimet e para të LDK-së në vitin 2023 dhe se nëse partia e saj është e gatshme të hyj në zgjedhje një ditë, nëse mund të ndodhin këtë vit që tashmë kemi hyrë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është në favor të stabilitetit politik por, kur Qeveria nuk është në gjendje që paralelisht me përfshirjen e saj në procesin e dialogut të zhvillojë ekonominë, shëndetësinë, të ruajë stabilitetin politik që është i nevojshëm për të tërhequr investime të huaja, e të kryejë detyrat tjera që i ka përsipër një Qeveri, atëherë ndryshimi do të jetë i pashmangshëm”, është shprehur ajo.
Megjithatë, Mjekiqi ka shtuar se do të vazhdojnë ciklin e tyre të takimeve me qytetarë që të jenë sa më afër tyre si dhe do të vazhdojnë rolin opozitar karshi Qeverisë.