Bashkësinë Islame të Kosovës(BIK) e ka vizituar Dodë Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës.
Me rastin e Fitër Bajramit, ai ka uruar Myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë myslimanët në emër të Kishës Katolike.
Dodë Gjergji ka uruar festën e Fitër Bajramit duke uruar paqe, begati dhe gëzime për të gjithë ata që sot festojnë.
Gjergji në fjalën e tij para mediave për urimin e festës së Fitër Bajramit pa dashje ka bërë një lapsuz gjuhësor.
“Jam këtu për të uruar kryetarin e Bashkësisë Islame, Bashkësinë Islame dhe të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Pashkëve, sepse dalim pas një agjërimi që është një përpjekje e jona për të mbizotëruar shpirti në të gjitha sferat e jetës dhe mbi trupin.
Ne urojmë njëri-tjetrin dhe bashkëndajmë gëzimin e festave si vëllezër sepse këtë zjarr dashurie e kanë ndeshur të parët tanë ndër ne dhe që moti, por nuk është një zjarr që qet tym, as të bardh dhe as të zi, por është një zjarr që përhap aromë dashurie, lirie, paqe, mirësie, vëllazërimi dhe uroj që të gjithë shqiptarët kudo që janë të përjetojnë këtë moment të urimit të festave të ndërsjella, që të konfirmojnë edhe një herë paqen, lirinë dhe vëllazërinë në mes vete”, tha Gjergji.