Seria e raportimeve që bëri TV Dukagjini që nga muaji maj të këtij viti tashmë u konfirmua.
Bëhet fjalë për keqpërdorimet në procesin e gradimit brenda Policisë së Kosovës dhe për qëllim kishte gradimin e “Policëve të Lartë” në “Rreshter” pozitë për të cilën ishin vetëm 355 vende të lira dhe për të aplikuan mbi 2200 persona.
Në mesin e tyre ishin edhe gjenerata e 54 e Policisë së Kosovës, së cilës iu lejua aplikimi në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Procesin e Gradimit.
Kjo sepse ata nuk i kishin 2 vite në pozitën e “Policit të Lartë”.
Ashtu siç raportoi Dukagjini, doli edhe gjetja e Inspektoratit Policor të Kosovës pas një hetimi të jashtëzakonshëm.
“Ka dobësi në respektimin e afateve në kalimin (lëvizshmërinë) e personelit nga grada kadet deri në gradën polic i lartë, gjë që dëshmohet edhe nga të dhënat në dosjet personale të kandidatëve të gjeneratës 54. Pjesëmarrja në proces i është lejuar edhe gjeneratës së 54 ku sipas dosjeve personale të kësaj gjenerate vërtetohet që nuk përmbushin kriterin e qëndrimit prej dy vitësh në gradën “Polic i Lartë” (brenda listës së aplikimit janë hasur edhe pjesëmarrës me gradë edhe më të ulët,” thuhet nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Për këtë arsye Inspektorati Policor kanë dhënë një rekomandim në mesin e tetë sosh vetëm për këtë proces.
“IPK i rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që ta rishikoj harmonizimin e Udhëzimit Administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policor, me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, duke qartësuar edhe rrugëtimin e personelit nga grada “kadet” deri në gradën “Polic i Lartë”.
Për më keq, hetimi i inspektoratit ka vërejtur që është bërë ndërhyrje në sistemin elektronik PRIMS në mënyrë që t’i lejohet aplikimi gjeneratës 54.
“Përkundër idesë që aplikantëve t’u ofrohet mundësi për aplikim, ka pasur një proces konkurrimi, i përcjellur me disa dobësi në pranimin e aplikacioneve edhe kur kandidatët nuk kanë përmbushur kriteret ligjore të aplikimit, si rezultat i heqjes së masave kufizuese të sistemit elektronik PRIMS”
Edhe për këtë IPK ka dhënë rekomandimet e veta duke thënë që të sigurohen që sistemi PRIMS të filtroj ata që nuk kanë mundësi të aplikojnë në një konkurs.
Inspektorati Policor po ashtu ka evidentuar që gjatë këtij procesi ka pasur raste kur pjesë e Listës së kandidatëve kanë qenë edhe kandidatë që nuk i është kryer vlerësimi i plotë i performancës siç parashihet me udhëzim.
Në raportin e publikuar të IPK-së janë përfshirë edhe komentet e Policisë së Kosovës të cilët janë pajtuar me gjetjet dhe kanë deklaruar se do të marrin hapa konkret.
Tv Dukagjini kishte nisur këtë seri raportimesh pas dyshimeve se brenda gjeneratës së 54 kishte fëmijë dhe të afërm të eprorëve të lartë të Policisë, me ç’rast u ishte lejuar kundërligjshëm aplikimi.