Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e Komandantit të Stacionit policor të Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve, të cilët kishin trajtuar rastet ndaj Sokol Halilit, personi i cili të mërkurën vrau shtatzënën 35-vjeçare në oborrin e QKUK-së. Dyshohet se katër zyrtarët kanë kryer veprat penale si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “.
Përmes një njoftimi në Facebook, IPK ka njoftuar se Inspektorati kishte nisur hetimet paraprake mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit Halili për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”. Përgjatë procesit, të njëjtit kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor në Lipjan kishte vepra penale të kryera.
“Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”. Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M . Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”’, thuhet në njoftim.
Krahas kësaj, theksohet se nga veprimet hetimore, tashmë janë katër të dyshuar. Për të njëjtit IPK-ja ka kërkuar supsendim.
“Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues) . Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë it me Prokurorinë e Shtetit.
Një 35-vjeçare shtatzënë u privua nga jeta më 30 nëntor të këtij viti. Bashkëshorti i saj, Sokol Halili ishte i dyshuar për vrasjen e së ndjerës dhe i njëjti ishte në arrati për 48 orë. Ishte Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla i cili njoftoi se Haliti kishte kryer vetëvrasje.