Anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike (OIC) duhet të vendosin embargo nafte dhe sanksione të tjera ndaj Izraelit dhe të dëbojnë të gjithë ambasadorët izraelitë, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian.
Një takim urgjent i OIC-së u mbajt në qytetin saudit të Jeddah, për të diskutuar përshkallëzimin e konfliktit izraelito-palestinez, pas shpërthimit në një spital në Gaza, që la rreth 400 të vdekur.
“Ministri i Jashtëm bën thirrje për embargo të menjëhershme dhe të plotë ndaj Izraelit nga vendet islamike, duke përfshirë sanksionet e naftës, së bashku me dëbimin e ambasadorëve izraelitë nëse janë vendosur marrëdhëniet me regjimin sionist”, ka thënë Ministria e Jashtme e Iranit në një deklaratë.
Amirabdollahian, gjithashtu, bëri thirrje për krijimin e një ekipe juristësh islamikë, për të dokumentuar krimet e mundshme të luftës të kryera nga Izraeli në Gaza.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë i Gazës, Ashraf al-Qudra, tha të mërkurën se qindra u vranë dhe punonjësit e shpëtimit ende po nxjerrin trupat nga rrënojat.
Protestat propalestineze shpërthyen në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut pas sulmit dhe u organizuan në ambasadat izraelite në Jordani, si dhe në Turqi dhe pranë ambasadës së SHBA-së në Liban.
Demonstrata u zhvilluan edhe në Iran, Marok, Tunizi, Jemen dhe Irak.
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, anuloi një samit me homologun e tij amerikan, dhe tha se shpërthimi në spital ishte një “masakër e shëmtuar lufte” dhe se “Izraeli ka kaluar vijat e kuqe”.
Por, ushtria izraelite ka mohuar përgjegjësinë për sulmin dhe pretendon se një raketë palestineze e gabuar goditi spitalin.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha: “E gjithë bota duhet ta dijë: ishin terroristët barbarë në Gaza ata që sulmuan spitalin në Gaza, jo IDF [forcat izraelite]”.
“Ata që vranë brutalisht fëmijët tanë vrasin edhe fëmijët e tyre”, tha ai.
Autoritetet shëndetësore në Gaza kanë thënë se të paktën 3,300 njerëz kanë vdekur gjatë konfliktit 11-ditor dhe 13,000 të tjerë janë plagosur.
Në Izrael, numri i të vdekurve është 1,400, me 4,475 të plagosur, shkruan AlJazeera.
Ndryshe, Irani nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin.
Ndërsa, para shpërthimit të së martës në një spital të Gazës, autoritetet shëndetësore të Gazës thanë se të paktën 3 mijë njerëz ishin vrarë gjatë bombardimeve 11-ditore nga Izraeli. Rreth 1400 është numri i viktimave në Izrael nga sulmet e Hamasit.