Duke arsyetuar gjuhën e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili deklaroi shumë qartë se kanë problem në komunikim me kryeministrin Albin Kurtin, ish-diplomati Edon Cana ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke e luftuar propagandën e qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti.
Sipas ish-diplomatit, kritikat e shtetit amerikan ndaj Kosovës po bëhen edhe publikisht dhe jo në takime private me Kurtin e qeveritarë të tjerë.
“Fakt, këto mesazhe (të amerikanëve) në privat që disa kohë kemi biseduar dhe kemi thënë që ekzistojnë, po Shtetet Bashkuara Amerikës kanë ardhur në konkluzion që propaganda e Qeverisë Kurti në krye me kryeministrin Kurti duhet të luftohet dhe po luftohet në formën publike në mënyrë më të vrazhdë të mundshme, në mënyrë që publiku dhe qytetarët e Kosovës të mos manipulohen nga kjo propagandë. Unë mendoj që kjo domethënë ky ndryshim i kursit, pra të mos jetë kritika private, vjen si pasojë e manipulimit, gënjimin dhe taktizimit të kryeministrit Kurti me Shtetet Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Cana, në “FIVE” të Dukagjinit.
Më tej, Cana ka theksuar se Kurti ka taktizuar me ShBA-të dhe kjo bërë që të ndryshohet kursi ndaj Qeverisë.
“Nëse i marrim deklaratat e SHBA-ve vijmë në konkuldim që kryeministri Kurti ka gënjyer për targat e shumë të tjera. Më duhet të them ka gënjyer se kjo është faktuale, diçka tjetër ka premtuar në takime private, diçka tjetër ka vepruar në publik. Pra, ka taktizuar me aleatin me të ngushtë”, ka shtuar Cana.
Escobar, gjatë ditës së martë, ka theksuar se raportet ndërshtetërore tejkalojnë ato të një njeriu apo partie, duke shtuar se me Kurtin, të njëjtin problem e kanë edhe shtetet partnere të Kosovës.
“Partneriteti mes SHBA-së dhe qytetarëve nuk shkon përmes një njeriu apo partie, por do të thosha se tani kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Ky nuk është problem që kanë vetëm SHBA-të, ka edhe BE-ja, NATO-ja, Britania e Madhe dhe shtete tjera si Maqedonia e Veriut apo Shqipëria. Duam kthimin e marrëdhënieve në binarët që kanë qenë më parë”, ka deklaruar ai.