Ish-ambasadori serb në ShBA, Milan St. Protic ka vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është reduktuar në një “pazar jashtëzakonisht të pafavorshëm” për Serbinë, në njohjen e heshtur të pavarësisë së Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Perëndimorët mezi e prisnin këtë. Ata e zvarritën, e shmangën, debatuan në mënyrë që i ashtuquajturi Asociacion i komunave serbe të marrë rëndësi dhe peshë maksimale”, ka thënë St. Protiq.
Ish-ambasadori serb në ShBA ka thënë se formimi i Asociacionit është vendosur si “qëllimi kryesor” dhe interesi kryesor i palës serbe në negociata dhe pyeti se cili është kuptimi i kësaj kërkese.
“Mbrojtja institucionale e jetës serbe në Kosovë, apo tentativë për të krijuar një entitet të veçantë politik? Çfarëdo që të jetë, është e keqe. As i ashtuquajturi Asociacion nuk do të jetë garanci për një të ardhme të ndritur për serbët e Kosovës dhe as me të nuk do të arrihet autonomizimi i Kosovës”, ka potencuar ai për gazetën “Blick”.
Sipas tij, kjo nuk do të ndodhë për shkak se fuqia e vërtetë e Asociacionit është në duart e Qeverisë së Kosovës, dhe për shkak se nuk ka kompaktësi territoriale.
Një problem i veçantë dhe shumë i ndjeshëm për formimin e Asociacionit, sipas tij, është edhe reciprociteti i mundshëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës.