Në një dëshmi para Gjykatës në Hagë, dëshmitari Sadik Halitjaha ka rrëfyer për ngjarje të rënda torturash dhe bashkëpunëtorësh gjatë periudhës së burgosjes së tij në Prizren.
Në sallat e drejtësisë në Hagë, Sadik Halitjaha, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po vazhdon të japë dëshmi.
Halitjaha është dëshmitar i ftuar në gjyqin e Dhomave të Specializuara, ku po shqyrtohen akuzat kundër Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët përballen me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në shqyrtimin e së hënës, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, ai ka identifikuar dy persona, Latif Dullën dhe Vesel Latifin, si ata që e kishin torturuar atë gjatë burgosjes.
Sipas Halitjahës, Latif Dulla ka qenë inspektor i lartë i Shërbimit Jugosllav Serb në Prizren, ndërsa Vesel Latifi ishte torturues dhe shef i Shërbimit Sekret për Prizrenin dhe rrethinën.
“Buzhala ka qenë polic, milic atëkohë i Shërbimit Jugosllav, ndërsa Latif Dulla ka qenë inspektor i lartë i Shërbimit Jugosllav Serb në Prizren, i cili më ka torturu mua kur jam burgosur. Gjithashtu, ka qenë edhe Vesel Latifi torturues dhe ka qenë shef i Shërbimit Sekret për Prizrenin dhe rrethinën e Prizrenit. Për 10 -11 vite ka qenë shef i Shërbimit Sekret Serb”-deklaroi dëshmitari.
Dëshmitari më tej ka përmendur edhe emrat e disa bashkëpunëtorëve të pretenduar të Serbisë, duke përfshirë Glauk Dullën, Vesel Krasniqin dhe Qerim Buzhalën.
Në një moment të dëshmisë, Halitjaha ka përshkruar se Qerim Buzhala i kishte treguar se kishte qenë i rrahur në Shkodër në Shqipëri para disa vitesh, ndërsa Vesel Krasniqi, sipas tij, kishte vdekur pas luftës.
“Vesel Krasniqi ka vdekur pas luftës, e kam taku pas luftës, kam qenë i armatosur, por nuk kam dashtë me bë hakmarrje se qëllimi jonë ka qenë mos me u bë vëllavrasja… Latif Dulla është gjallë akoma dhe është në shtëpinë e vet. Nuk kam dashtë të hakmerrem kundrejt tij. Qerim Buzhalën e kam taku para dhjetë vitesh ai më ka shpjeguar që ka qenë i rrahur, por më ka thënë që në Shkodër e ka rrah dikush”-sqaroi dëshmitari.
Në lidhje me listat e kolaboracionistëve, dëshmitari ka sqaruar se këto lista shpesh janë sjellë nga civilët në komanda dhe se nuk është i sigurt nëse Struktura Zbulim Kundër Zbulim (ZKZ) i ka mbajtur ato shënime.
Ai ka theksuar se disa lista janë sjellë nga civilët dhe se nuk është e sigurt nëse ato janë ruajtur. Sipas tij, lista mbante 16 emra të bashkëpunëtorëve.
Në një moment të dëshmisë, Halitjaha ka rrëfyer se pas fillimit të prillit të vitit 1999, ka ekzistuar një strukturë e Zbulimit dhe Kundërzbulimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkohë, dëshmitari ka shprehur zhgënjim për mos-takimin me Hashim Thaçin pas luftës, duke thënë se ka pritur shumë herë, por ky takim nuk është realizuar.
Sadik Halitjaha, dëshmitari i 36-të i ftuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar (ZPS), ka filluar të deklarohet nga data 13 dhe 15 nëntor. Duke sjellë përpara gjykatës detaje të ngjarjeve, ai ka hedhur dritë mbi vartësit e ndryshëm të UÇK-së dhe ka rrëfyer për krime të pretenduara.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Kristof Barte, Genwl Metro dhe Fergal Gejnor.