Ish-gjyqtari, Kolë Puka dënohet me 10 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë për shpëlarje parash

Ish-gjyqtarit Kolë Puka, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shqiptuar dënimin unik prej 10 muajsh burgim dhe 2 mijë euro gjobë. Sipas aktgjykimit, lidhur me pikën e parë të dispozitivit, i akuzuari dënohet me gjobë prej 1 mijë euro dhe dënim me burgim prej 6 muajsh. Kurse, për pikën e dytë të dispozitivit, i akuzuari Puka dënohet me gjobë prej 1 mijë euro dhe 6 muaj burgim

Gjykata Themelore Prishtinë





Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-gjyqtarit, Kolë Puka, i akuzuar për shpëlarje parash, duke e dënuar me dënim unik prej 10 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj ish-gjyqtarit Puka u shpall të hënën, nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, lidhur me pikën e parë të dispozitivit, i akuzuari dënohet me gjobë prej 1 mijë euro dhe dënim me burgim prej 6 muajsh.

Kurse, për pikën e dytë të dispozitivit, i akuzuari Puka dënohet me gjobë prej 1 mijë euro dhe 6 muaj burgim.

Të njëjtit, i shqiptohet dënim unik prej 10 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Po ashtu, të akuzuarit Puka iu shqiptua edhe dënim plotësues, pra i konfiskohet shtëpia me shënime si në certifikatën e lëshuar në Prishtinë, më 18 janar 2008.

Kurse, refuzohet propozimi i dytë i prokurorisë për kthimin e mjeteve në shumë prej 30 mijë eurosh personit tjetër, meqë konsiderohet si i pabazë.

I njëjti detyrohet t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 100 eurosh dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Bashkë me Kolë Pukën në këtë rast akuzohej edhe Z.P, mirëpo ndaj të njëjtit është pushuar procedura penale për shkak të vdekjes së tij, pasi një gjë e tillë është vërtetuar nga certifikata e vdekjes për të njëjtin, e lëshuar nga Komuna e Klinës.

Për këtë, gjykatësja Çerkini kishte njoftuar se gjykata ka nxjerrë aktvendim të veçantë më 8 prill të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 gusht 2014, i akuzuari Kolë Puka është marrë me aktivitet kriminal nga viti 2002-2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit pranë Gjykatës Komunale në Klinë, në atë mënyrë që gjatë aktivitetit kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Puka, duke e ditur që pasuria e përfituar ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal dhe me qëllim që ta fshehë, ta konvertojë apo maskojë, me këto mjete financiare ka blerë patundshmëri dhe më 4 prill 2008 në Gjykatën Komunale në Prishtinë ka vërtetuar kontratën mbi shitblerjen e patundshmërisë në vlerë prej 35 mijë eurosh.

Tutje, për të humbur gjurmë më tepër lidhur me këtë patundshmëri, thuhet se në bashkëpunim me babanë e tij, të akuzuarin Z.P, i njëjti e kishte evidentuar patundshmërinë në emër të babait.

Sipas prokurorisë, me këtë në bashkëkryerje të akuzuarit Puka kanë kryer veprën penale, “Shpëlarja e parasë” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Kolë Puka, me qëllim të fshehjes së pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal, më 8 qershor 2007, ka blerë një banesë në Pejë, të cilën më 9 tetor 2007 ia kishte shitur Jeton Abazit në shumën prej 8 mijë eurosh.

Po ashtu, i akuzuari Kolë Puka, më 20 shkurt 2007, ashtu siç përshkruhet në aktakuzë, ka blerë patundshmërinë nga Bora Abazi në vlerë prej 38 mijë eurosh (ku 8 mijë euro është llogaritur banesa që ia ka shitur Jeton Abazi, ndërsa 30 mijë euro i ka dhënë të holla).

Sipas aktakuzës, i njëjti duke dashur që ta fshehë burimin e mjeteve financiare të përfituara nga aktivitetet kriminale, të njëjtën patundshmëri më 17 prill 2009 përmes kontratës të vërtetuar në Gjykatën Komunale në Klinë ia ka shitur Kolë Duhanajt në vlerë prej 30 mijë eurosh.

I akuzuari Kolë Puka, për këto veprime akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parasë” nga neni 32, paragrafi 2, pika 2.1, 2.2, 2.5, dhe 2.6 të Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.





Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika