Koloneli në pension Rrahman Sylejmani ka folur lidhur me aktakuzën e Prokurorisë ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Ai ka thënë se shumë rrethanë dhe zhvillimi i ngjarjes që nga fillimi kanë kontribuar që rasti të merr dinamikën dhe shpejtësinë e përmbylljes së hetimeve dhe me aktin e ngritjes së aktakuzës.
“Qysh në fillim gjersa as vendshiqimi nuk ka qenë i kompletuar në mënyrën e duhur komplet hetuesit e mençur e kanë godit cakun me goditjen e parë, pastaj…është zbuluar i gjithë skenari i kësaj ngjarje sepse për ndryshe kjo kish marr kohë më shumë, por edhe falë rastit që nuk ka qenë në mënyrë profesionale e përgatitur qysh dinë grupet kriminale të tilla kur bëjnë ekzekutime edhe likuidime të tilla qysh ka qenë ky rast”, ka thënë ai.
Tutje ish hetuesi policor ka thënë në rastin konkret kanë qenë të përfshirë disa persona edhe thuajse mund të quhet edhe si grup kriminal.
“…gati se i plotësojnë kriteret për tu quajtur edhe grup i organizuar kriminal”, është shprehur ai.
Sylejmani ka thënë se hetuesit kanë arritur deri tek informatat kapitale shumë shpejt sepse ky rast në të kundërtën mund të zgjatëte deri në tri vite për ngritjen e aktakuzës.
Ai tutje ka thënë se Kosova nuk mund të quhet vend që ka vrasës profesionist me pagesë duke iu referuar praktikës së deritanishme.
“Nëse krahasohemi me Shqipëri që ka standarde shumë më të larta, ka organizim shumë më të madh të grupeve mafioze por Kosova nuk është e tillë… po duket edhe në këtë rast[vrasjes së Liridona Ademajt]”.
Në këtë rast që është vrasje brenda familjes sipas Sylejmanit nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese sidomos për ish bashkëshortin e saj dhe ekzekutuesin ka thënë Sylejmani në FIVE në RTV Dukagjini.