Ish-komandanti i Brigadës 124 të UÇK-së, Ismet Tara, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka komentuar dëshminë e serbit, Predrag Dedic, në Gjykatën Speciale të Hagës.
Dedic, në Hagë ka pretenduar se në qershor të vitit 1999, i është rrëmbyer djali nga ushtarët e UÇK-së, e këtë e mohoi kategorikisht dhe e cilësoi gënjeshtër Tara, duke treguar një rast kur vetë ai dhe disa ushtarë të UÇK-së i kishin ofruar (Dedicit me familje) ndihmë për të shkuar në lagjen e serbëve në Rahovec, në qershor të ’99-tës.
E për këto deklarime të Dedicit, Tara ka kërkuar nga Specialja që ta thërrasë dhe atje të ballafaqohet me të, pasi krerët e UÇK-së në Hagë nuk kanë lidhje me këtë rast që po pretendon Dedic.
“Unë kam kërkuar që të shkoj në Hagë, të ballafaqohen me personin në fjalë, sepse nuk ka të bëjë askush me atë person… Serbia ka informata për mua ma shumë se askush tjetër dhe kru e kanë parë e kanë humbur rastin me mu, kanë thënë t’ua bartim rastin krerëve të UÇK-së, që as lidhje nuk kanë me këtë rast”, ka thënë Tara.
Në vitin 2019 Tara ishte ftuar nga Specialja për intervistim dhe, sipas tij, atje është intervistuar rreh 32 orë.
Tara, më tej, ka theksuar se siç ka thënë (në 2019) atëherë se Specialja është gjykatë kriminale dhe e padrejtësisë, thotë është tash.
“Unë kam qenë i akuzuar për tre raste… Edhe nuk kam dashtë me marrë avokat… Unë kam dhënë deklarata 32 orë, katër ditë kam dhënë deklarata. 14 marsi ka qenë në atë kohë kur kam thënë se Gjykata është kriminale që po i gjykon ushtarët e UÇK-së edhe sot po them prapë nuk është në rregull, nuk është gjykatë e drejtësisë, por, gjykatë e padrejtësisë”, ka shtuar Tara.