Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për shkak të mostransparencës së saj në takim me homologun palestinez në forumin e Antalyas.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se një veprim i tillë, dëmton marrëdhënien e re të Kosovës me Izraelin, dhe interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja në Lindjen e Mesme.
Sipas Haradinajt, Kosova nuk ka përgjegjësi morale ndaj Palestinës, andaj siç ka theksuar ajo, ministrja Gërvalla nuk do të duhej të ndihej në borxh, duke e mbajtur larg publikut.
“MPJD duhet urgjentisht të sqarohet me një deklaratë publike në shqip dhe anglisht rreth takimit, temave, dhe pozicionit të Kosovës rreth asaj që ka deklaruar MPJ e autoriteteve palestineze pas takimit me Kosovën, për të riparuar dëmin tashmë të shkaktuar me Shtetin mik të Izraelit”, ka shtuar ajo.
Siç ka potencuar Haradinaj, heshtja e ministres ka hedhur poshtë gjithë mundin e Kosovës, duke ia dhuruar terrenin diplomatik vetëm Palestinës dhe Serbisë.
Ndryshe, Gërvalla gjatë qëndrimit në Forumin Diplomatik të Antalyas kishte takuar homologun e saj nga Palestina, Riyad al-Maliki.
Ky takim nuk ishte publikuar as në komunikatë zyrtare e as në rrjetet sociale të ministres.
Megjithatë, ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, kishte thënë se pozicioni i Palestinës në raport me njohjen e shtetit të Kosovës nuk ndryshon.
Ai për mediat serbe kishte deklaruar se, takimi i tij me ministren gërvalla “nuk do të thotë asgjë”.
“Fakti se ministri [palestinez] u takua në margjinat e një takimi në Turqi nuk do të thotë asgjë për ne, dhe nuk ndryshon asnjë qëndrim”, kishte thënë Nabhan.
Sipas tij, Palestina, në raport me Kosovën “udhëheqet nga Rezoluta 12/44 dhe avokimi për dialog në mes të Prishtinës dhe Beogradit”.