Ish-ndihmësi i Navalnyt zotohet për vazhdimin e luftës, megjithëse u sulmua me çekan

Leonid Volkov, një ish-ndihmës i afërt i liderit të ndjerë opozitar rus, Alexei Navalny, është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin

Leonid Volkov, një ish-ndihmës i afërt i liderit të ndjerë opozitar rus, Alexei Navalny, është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me gjithë lëndimet që i pësoi pasi u sulmua më 12 mars nga një person i paidentifikuar në Vilnius të Lituanisë.

“Do të vazhdoj të punoj dhe nuk do të dorëzohem”, tha Volkov në një video të publikuar në Telegram, pasi u lirua nga spitali në kryeqytetin lituan.

“Ata deshën të më shndërronin në biftek. Natyrisht, me një çekan mishi. Një burrë më sulmoi mu pranë oborrit të shtëpisë ime”, tha Volkov.

Ai e theu dorën dhe pësoi lëndime të tjera për pasojë.

Volkov e cilësoi sulmin si “një përshëndetje karakteristike prej gangsteri nga Putini”.

Zëdhënësi i Policisë lituane, Ramunas Matonis, konfirmoi për agjencinë e lajmeve AFP se një qytetar rus u sulmua pranë shtëpisë së vet në Vilnius rreth orës 22:00 më 12 mars, pa e përmendur me emër Volkovin.

Sipas gazetarit Sergei Parkhomenko, siç raporton Meduza, Volkov jeton në një lokalitet të vogël jashtë Vilniusit.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, e përshkroi sulmin si “tronditës”.

Pamje të Volkovit të lënduar dhe të veturës së tij të dëmtuar u postuan në Telegram nga ekipi i Navalnyt.

Sulmi u raportua së pari nga Kyra Yarmysh, ish-zëdhënësja e Navalnyt dhe sekretarja e Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit (FBK), e cila tha në rrjetin social X se një burrë i paidentifikuar e theu dritaren e veturës së Volkovit dhe hodhi gaz lotsjellës drejt syve të tij, para se ta godiste me çekan mishi.

Më vonë, ajo tha se Volkov e luftoi sulmuesin duke përdorur “derën e veturës dhe këmbët e tij”.

Navalny, kritiku më i madh i Putinit, vdiq muajin e kaluar në rrethana të dyshimta në moshën 47-vjeçare në një burg në rajonin arktik të Rusisë, ku po kryente një dënim me 19 vjet burgim.

Volkov dhe disa aleatë të tjerë të Navalnyt u larguan nga Rusia më 2019, pasi autoritetet filluan një hetim ndaj FBK-së dhe veprimtarisë së saj.

Ai u fut në listën e personave të kërkuar më 2021 për shkak të veprimtarisë së tij kundër Kremlinit./REL

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika