Serbia po hyn në një fazë të paqëndrueshmërisë politike, që sapo ka filluar dhe nuk do të ndalet, por është shumë e vështirë të thuhet se çfarë drejtimi do të marrë më tej, thotë Zharko Koraq, psikolog dhe ish-nënkryetar i Qeverisë së Serbisë në k abinetin e Zoran Gjingjiqit në një intervistë për The Geopost.
Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb kontrollin.
“Ky nervozizëm që po tregon Vuçiq nuk është vetëm për shkak të këtyre krimeve monstruoze në Serbi, por edhe për shkak se atij po i kalon koha rreth problemit të Kosovës. Ai tashmë ka marrë një paralajmërim – një artikull në New York Times, që është një gazetë e pavarur, intelektuale, liberale dhe gazeta më me ndikim amerikan jashtë SHBA-së. Do të thotë ai mori një paralajmërim se janë në dijeni se çfarë po bën dhe nervozizmi është i madh: ai ka problemin e Kosovës, humbjen e kontrollit mbi atë që po ndodh në vend, krimet, natyrisht dhe së treti, ai ka një situatë shumë të keqe ekonomike në vend”, thotë Koraq.
“Takimi më i madh në histori” që Vuçiq paralajmëroi për 26 maj, sipas tij, është një shenjë se presidenti serb kishte frikë nga humbja e pushtetit.
“Para së gjithash, me këtë tubim, që është për të ardhur keq, ai po e rinovon traditën e Sllobodan Millosheviqit, i cili kishte ato mitingje të mëdha. Njëri prej tyre ishte në Ushçe kur shkrimtari Vitezoviq tha ‘populli ndodhi’ dhe kjo është hera e dytë që populli ndodh. Nuk ka funksionuar atëherë dhe nuk do të funksionojë as tani”, shton ai.
Koraq vlerëson edhe se askush nuk i kontrolloi serbët në Kosovë kaq sa Vuçiq.
“Ndoshta Millosheviqi në fillim të sundimit të tij, por kjo ishte një situatë tjetër. Kosova nuk ishte shpallur e pavarur atëherë, ajo teknikisht ishte ende pjesë e Serbisë dhe ish-Jugosllavisë”, shprehet Koraq.
Bashkëbiseduesi i “The Geopost” beson se Vuçiq ka bërë një gabim kardinal duke shantazhuar Perëndimin dhe Prishtinën duke i tërhequr serbët nga të gjitha institucionet.“Serbët ishin në qeveri, parlament, kryetarët e komunave… Ai shkaktoi një krizë të madhe duke menduar se Perëndimi do të paraqiste një fakt të kryer dhe se Perëndimi do ta detyronte Kurtin që Asociacionin e Komunave Serbe ta shihte siç donte ai dhe jo ndoshta si do ta kishte bërë Kurti”, beson ai.
Koraq është i bindur se Vuçiq nuk ka ndërmend të pranojë dhe zbatojë Planin e Ohrit.
“Vuçiq nuk ka ndërmend të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, për të çdo zgjidhje për çështjen e Kosovës humbet në sytë e votuesve të tij. Dhe ai mendon vetëm për votuesit e tij. Vuçiq mban të ashtuquajturat fokus grupe dy herë në ditë, kjo është unike. Nuk kam dëgjuar që dikush ta bëjë këtë, ai si në mëngjes, ashtu edhe në pasdite, i shqyrton besnikët e tij politikë dhe e di se do të humbasë me çdo zgjidhje të çështjes së Kosovës”, thekson Koraq.
Ai shton se Serbia e ka humbur kartën ruse dhe Vuçiq e vëren këtë.
“Ai në të vërtetë nuk ka askund mbështetje politike. Paradoksalisht, ai ende mbështetet më së shumti nga SHBA-ja dhe një pjesë e Evropës, duke pritur që ai të bëjë një lëvizje racionale, që do të thotë të bëjë përfundimisht një lloj marrëveshjeje me Kurtin. Dhe Perëndimi, po më mungon fjala e duhur, ne në psikologji e kemi një termin formësim – vazhdimisht po mundohen ta formësojnë, në serbisht do të thoshin ‘nutkaju ga’ (po e lusin tepër), për mendimin tim fare pa rezultat”, shton ai.
Koraq përfundon se ne nuk jemi një rajon prioritar as për Perëndimin dhe as për Evropën.
“Gjëja më e rëndësishme për Perëndimin në këtë moment është të mos ketë konflikt të armatosur dhe kjo është një pritshmëri tmerrësisht e ulët nga rajoni”, përfundon Koraq./The Geopost