Ish-Papa Benedikti XVI ka vdekur në Vatikan, në moshën 95-vjeçare, pas një periudhe të vështirë shëndetësore.
Benedikti, i cili ishte Papa i parë në pothuajse 600 vjet që dha dorëheqjen nga posti i tij, në vend që të mbante postin e përjetshëm, ndërroi jetë të shtunën, sipas një deklarate nga Vatikani.
“Me dhimbje ju njoftoj se Papa Emeritus, Benedikti XVI, ndërroi jetë sot në orën 9:34 në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan”, tha drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, gjersa theksoi se “Informacione të mëtejshme do të jepen sa më shpejt që të jetë e mundur.”
Lajmi për vdekjen e tij erdhi disa ditë pasi Papa Françesku u kërkoi besimtarëve të luteshin për Benediktin, duke thënë se ai ishte “shumë i sëmurë”.
“Dua t’ju kërkoj të gjithëve një lutje të veçantë për Papa Emeritus Benediktin, i cili mbështet Kishën në heshtjen e tij. Ai është shumë i sëmurë. Ne i kërkojmë Zotit ta ngushëllojë dhe ta mbështesë në këtë dëshmi dashurie për Kishën deri në fund”, tha Françesku në audiencën e tij të përgjithshme të mërkurën.
Shëndeti i tij ishte në rënie prej disa kohësh, transmeton CNN.
Benedikti i habiti besimtarët katolikë dhe ekspertët fetarë në mbarë botën më 11 shkurt 2013, kur njoftoi planet për t’u larguar nga pozicioni i tij si Papë, duke përmendur “moshën e tij të avancuar”.
Në fjalimin e tij të lamtumirës, Papa në largim premtoi të qëndronte “i fshehur” nga bota, por ai vazhdoi të fliste hapur për çështjet fetare në vitet pas daljes në pension të tij, duke kontribuuar në tensionet brenda Kishës Katolike.