Ish-presidentët shqiptarë të enjten kanë takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata deklaruan se qëllimi i vizitës së tyre është të tregojnë mbështetjen për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa shtuan se ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim.
Pas takimit, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko thanë se ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë të fortë moralisht dhe krenarë për luftën e drejtë të UÇK-së.
Sipas Moisiut, prokuroria po kërkon diçka që nuk ekziston, meqë UCK nuk ka pasur të bëjë me terrorizëm, raporton KosovaPress.
“Ne mendojmë që në fund drejtësia do të fitojë, do të dalë e drejta, taksirat e këtyre drejtuesve të UÇK-së të vuajnë, kanë dy vjet aty e nuk dihet sa do të vazhdojnë akoma, sepse kanë dy vjet dhe akoma nuk e kanë formuluar akuzën, pra janë në kërkim. Në kërkim të një gjëje që nuk ekziston sepse nuk kanë pasur asgjë me terrorizmin”, tha Moisiu.
Ish-presidenti Rexhep Meidani tha se historinë nuk mund ta ndryshojnë prokurorët dhe gjykatësit derisa përmendi okupimin e dikurshëm serb në Kosovë dhe luftën e UÇK-së për çlirim.
“Është një mbështetje, jo vetëm për udhëheqësit kryesorë të shtetit dhe pavarësimit të Kosovës, por vizita jonë ishte edhe një mbështetje e luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kundër skllavërimit serb, ishte edhe një luftë e mbështetur nga gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe udhëheqësit kryesor botëror, në luftën jo vetëm për demokraci, por edhe luftën kundër pastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga policia, ushtria dhe trupat paramilitare serbe, tha Meidani.
Se vizita e tyre është vetëm për mbështetje e jo ndërhyrje në drejtësi e tha edhe ish-presidenti Bamir Topi.
“Natyrisht ne nuk interferojmë në çështje të drejtësisë, por jemi të bindur qe drejtësia do të shkojë në vend, sepse duket si një histori sikur ka qenë histori e shekullit të kaluar por historia e asaj çka ka ndodhur në Kosovë është një histori e kohëve moderne, të mos e harrojmë atë largim masiv, atë gjenocid që u zhvillua nga arkitekti i luftës në Ballkan sikurse ishte Millosheviqi”, tha Topi.
Vizita e ish-presidentëve u zhvillua me iniciativë të kreut Aleancës Kosova e Re dhe ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli. Ndërsa thirrjes së tij nuk i janë përgjigjur ish-krerët e shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.
“Ne pamë edhe njëherë, edhe njëherë u binda që ky është çmimi të cilin ata janë duke paguar për atë që ne ekzistojmë si shtet i pavarur dhe pavarësinë tonë. Nuk ka akuza personale për askënd, janë akuza absurde, gjoja se një organizatë kriminale, e mu kjo ‘organizatë kriminale’ e ka bërë të mundur pavarësinë e Kosovës dhe lirinë që ne gëzojmë”, tha Pacolli
Ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës me pretendime për krime lufte dhe kundër njerëzimit, por gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar. Në paraqitjet e tyre të para në gjykatë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm.