Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka deklaruar se vendimi për të zhvilluar turneun e Kupës së Botës 2022 në Katar, ishte një “gabim”.
Blatter, 86 vjeç, ishte president i organit qeverisës të futbollit botëror kur Katarit iu dha turneu në vitin 2010.
Shteti i Gjirit është kritikuar për qëndrimin e tij ndaj marrëdhënieve të të njëjtit seks, historikut të të drejtave të njeriut dhe trajtimit të punëtorëve migrantë.
“Zgjedhja e Katarit ishte një gabim”, ka thënë fillimisht Blatter në një intervistë për gazetën zvicerane “Tages-Anzeiger”, që ishte intervista e parë që prej se ai u lirua nga akuzat për mashtrim së bashku me ish-presidentin e UEFA-s, Michel Platini-n.
“Është një vend shumë i vogël. Futbolli dhe Kupa e Botës janë shumë të mëdha për të,” ka thënë ai.
Kupa Botërore e Katarit, e para që do të organizohet në Lindjen e Mesme në historinë 92-vjeçare të turneut dhe e para gjatë dimrit të hemisferës veriore, zhvillohet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor.
Blatter ka thënë se FIFA kishte rregulluar kriteret e përdorura për të zgjedhur vendet pritëse në vitin 2012, pasi u ngritën shqetësimet në lidhje me trajtimin e punëtorëve migrantë që ndërtonin stadiumet e Kupës së Botës në Katar.
“Që atëherë, konsideratat sociale dhe të drejtat e njeriut janë marrë parasysh,” ka shtuar ai.
Blatter kaloi 17 vjet si president i FIFA-s, por u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2015 për akuzat se kishte rregulluar në mënyrë të paligjshme një transferim prej dy milionë frangash zvicerane (2.19 milionë dollarë) për ish-presidentin e UEFA-s, Michel Platini, i cili gjithashtu u detyrua të jepte dorëheqje nga pozita në FIFA.
Ai fillimisht u përjashtua nga futbolli nga FIFA për tetë vjet, më vonë u reduktua në gjashtë, për shkak të pagesës së Platinit. Në mars të vitit 2021 ai më pas mori një ndalim shtesë deri në vitin 2028 për “shkelje të ndryshme” të kodit të etikës të FIFA-s.
Blatter dhe Platini u akuzuan për mashtrim nëntorin e kaluar, por u shpallën të pafajshëm në një gjyq në Zvicër në korrik.
Vendimi për t’i dhënë Kupat e Botës 2018 dhe 2022 respektivisht Rusisë dhe Katarit është ndjekur nga akuzat për korrupsion të përhapur, me dy hetime të nisura nga prokurorët zviceranë dhe Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në vitin 2015.
Katari dhe Rusia kanë mohuar gjithmonë çdo keqbërje, dhe të dyja u pastruan efektivisht nga vetë hetimi i FIFA-s në vitin 2017.