Për 30 ditë, ish-prokurorit Ali Rexha, i është ndaluar që t’i afrohet në distancë prej 200 metrash objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Në distancë të njëjtë, Rexhës i është ndaluar që t’i afrohet edhe prokurorit të Prokurorisë Speciale, Lulzim Sulejmani.
Kjo ndalesë, atij i është caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku të enjten u mbajt seanca.
Rexha që tash punon si avokat, po konsiderohet si i dyshuar për kanosje ndaj prokurorit Sulejmani.
Pas seancës, avokati Rexha nuk ka dashur të flas për mediat.
Megjithatë, mësohet se gjithçka nisi pasi Rexha u takua rastësisht me Sulejmanin.
Me t’u takuar ata nisën diskutimin rreth suspendimit, i cili i ishte shqiptuar Rexhës nga Këshilli Prokurorial, sa ai ishte pjesë e Prokurorisë Speciale.
Pjesë e komisionit disiplinor të KPK-së, ishte pikërisht prokurori Lulzim Sulejmani.
Sipas arsyetimit, Rexha ishte suspenduar për shkak se kishte publikuar një shkrim në një gazetë.
Megjithatë, këtë arsye, vet Ali Rexha gjithmonë e ka kundërshtuar.
Rexha ka thënë se suspendimi i tij kishte ndodhur, pasi ai nisi një hetim kundër zëvendëskryeprokurores së shtetit, Sevdije Morina dhe asokohe kryeprokurorit të Gjilanit, Jetish Maloku.
Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, po i hetonte Morinën dhe Malokun nën dyshimet se në vitin 2015, jashtëligjshëm kishin vendosur që t’ia zgjasnin vetes mandatin.
Sikur Rexha, edhe Ambasada Amerikane, Bashkimi Evropian dhe Agjencia Kundër Korrupsionit kishin ngritur zërin lidhur me mandatin Morinës dhe Malokut.
Nën suspendim, Ali Rexha e kishte pritur edhe pensionimin.
Ai përgjatë tërë kohës kishte folur hapur për shumë keqpërdorime, të cilat pretendonte se po ndodhnin brenda sistemit prokurorial.
Televizioni Dukagjini gjatë gjithë ditës ka provuar që të kontaktoj me Rexhën, por ai nuk ka dashur të flas për mediat.
Njëjtë ka vepruar edhe prokurori Lulzim Sulejmani, i cili po vlerësohet si palë e dëmtuar në këtë proces.