Ish Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik(OBI), Akademiku dr. Ekmeledin Ihsanoğlu po qëndron enkas në Kosovë për të marrë pjesë në Konferencën shkencore “Dr. Rexhep Boja – prijës, vizionar dhe burrështetas i shquar”.
Dr. Ekmeledin Ihsanoğlu gjatë viteve 2008-2013 ka qenë sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI). Nga kjo pozitë e rëndësishme, dr. Ekmeledini ishte një mbështetës dhe përkrahës i pavarësisë së Kosovës.
Ai është angazhuar personalisht vetë në fushatën lobuese për të siguruar njohjen e shtetësisë e mëvetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos te shtetet që janë pjesë e OBI-së, ku dha një kontribut të madh në krah të Kosovës dhe diplomacisë së saj, për çka meriton respekt dhe mirënjohje.
“Dr. Ekmeledini ka një lidhje emocionale me Kosovën, ngase babai i tij, Ihsan efendiu ka qenë mik i ngushtë me vendasin tonë, dijetarin e shquar Ali efendi Jakupi, ndërsa vetë Ekmeledini ka qenë nxënës i Ali efendiut. Dr. Ekmeledini për Ali efendi Jakupin ka shkruar edhe zërin bibliografik në Enciklopedinë Islame (Ekmeluddin Ishanoglu: Cenkçikler, Ali Yakup (1913-1988); Islam Ansiklopedisi, Cild 7, Istanbul 1993, sayfa 370-371)”, ka shkruar Ramadan Shkodra, drejtori për Kulturë dhe veprimtari botuese në Bashkësinë Islma të Kosovës(BIK).
Shkodra thotë se ishin të nderuar që me Myftiun Tërnava t’i dhurojnë përmbledhjen e botuar në gjuhën shqipe për Ali efendiun, për të cilën veçse ishte në dijeni dhe e mirëpriti, duke i sjellë një emocion të veçantë.
“Duhet theksuar se dr. Ekmeledini ka qenë mik edhe me ish-myftiun dhe ish-ambasadorin dr. Rexhep Boja, miqësi që vazhdon ta kultivojë tani edhe me myftiu aktual, Naim ef. Tërnava. Dr. Ekmeledini meriton vëmendjen e institucioneve tona për atë që ka bërë për Kosovën.”
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) do të organizojë një konferencë shkencore në nder të ish-myftiut dhe ish-diplomatit të shquar, Rexhep Boja, i cili ndërroi jetë në shtator të vitit 2021.
Konferenca, e titulluar “Myftiu dr. Rexhep Boja – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”, do të mbahet më 18 dhe 19 tetor në Prishtinë.
BIK-u organizon konferencë shkencore kushtuar ish-myftiut Rexhep Boja