Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Engelbert Zefaj, ka pranuar fajësinë për mosraportim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Një deklarim të tillë, i akuzuari Zefaj e ka dhënë të mërkurën në seancën e shqyrtimit gjyqësor, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
“Jam penduar për këtë rast, shprehi keqardhje, premtoj se në të ardhmen do të jem më i kujdesshëm. Në detyrë publike kam qenë më shumë se 10 vite asnjëherë s’ka ndodhur kjo”, ka thënë Zefaj.
Po ashtu, Zefaj tha se pavarësisht harresës për deklarim të pasurisë në kohë, nuk ka pasur ndonjë ndryshim edhe kur të njëjtën e ka deklaruar më vonë.
“Nuk kam pasur ndonjë arsye me fsheh diçka, vetëm për shkak të harresës”, shtoi ai.
Me pranimin e fajësisë u pajtua edhe mbrojtësja e tij, avokatja Pranvera Zharra e cila tha se një pranim të tillë i mbrojturi i saj e bënë me vullnetin e tij të lirë dhe pa presion nga askush.
Ajo, i propozoi gjykatës që me rastin e vendosjes mbi caktimin e dënimit ndaj të mbrojturit të saj të merren parasysh rrethanat lehtësuese, siç janë mungesa e motivit për të kryer veprën penale pasi që i njëjti, sipas saj, edhe sot në këtë seancë deklaroi se nuk kishe për qëllim që ta fsheh pasurinë e tij.
“Por një gjë të tillë e ka bërë për shkak të mbingarkesës së tij në punë dhe duke marr parasysh përgjegjësin nga detyra që kishte”, u shpreh avokatja Zharra.
Sipas saj, vlen të theksohet fakti se është hera e parë që i akuzuari Zefaj bie ndesh me ligjin.
Edhe prokurori Besnik Jakupi, u pajtua me pranimin e fajësinë nga ana e të akuzuarit Zefaj, i cili tha se një pranim i tillë është bërë në përputhje të plotë me nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale.
Më pas, gjykatësi i rastit Ertan Sejfulla e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Zefaj.
Kurse, në fjalën përfundimtare prokurori Jakupi kërkoi nga gjykata që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit, duke aplikuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Në anën tjetër, avokatja Zharra kërkoi nga gjykata që ndaj të mbrojturit të saj, të shqiptohet një dënim sa më i ulët konform dispozitave ligjore.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 19 janar 2023.
Ndryshe, i akuzuari Zefaj është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 28 tetor 2021.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Engelbert Zefaj akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, si zëvendësministër pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS-së), me dashje ka vepruar në kundërshtim më Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.
Në aktin akuzës thuhet se i pandehuri Zefaj edhe pse ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontaktues pranë MKRS-së për të bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin paraprak 2020, brenda afatit kohor dhe atë nga data 1 deri më 31 mars 2021, i njëjti deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë e ka bërë pas afatit ligjor, më saktësisht më 3 qershor 2021.
Me këtë, Zefaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.