Ish-zëvendësministri i Arsimit, Azem Guri, ka folur në lidhje me rënien e numrit të nxënësve.
I ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, Guri, statistikat e fundit sa i përket numrit të nxënësve, i ka krahasuar me statistikat e viteve të 70-ta.
“Mbi bazën e të dhënave të fundit të Ministrisë, kemi një rënie jashtëzakonisht të madhe të numrit të nxënësve që mund të krahasohet me vitet e 70-ta”, ka thënë Guri.
E për këtë, Guri thotë se një ndër faktorët kryesorë është edhe ikja e qytetarëve nga Kosova.
Me një gjë të tillë pajtohet edhe Flakë Ymeri, sociologe, e cila thotë se faktor tjetër është edhe rënia e natalitetit.
“Një faktor tjetër është edhe rënia e natalitetit, për shkak të mirëqenies jo të mirë të qytetarëve”, ka thënë Ymeri.

Sipas Ymerit, rënia e natalitetit po ndodh për shkak se shpenzimet janë rritur dhe se kërkesat e fëmijëve janë të mëdha.
Sipas statistikave të fundit në Kosovë mësimin parauniversitar e vijojnë rreth 300 mijë nxënës. 200 mijë prej tyre vijojnë shkollimin e obliguar, nga parafillorja deri në klasën e nëntë, kurse 100 mijë janë në shkollën e mesme të lartë.