Gjatë rrëfimit të tij në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, për përvojën e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), Bedri Islami përmend edhe ish-presidentin Dr. Ibrahim Rugova.
Ai thotë se me Rugovën nuk ndanin të njëjtën bindje për arritjen e lirisë.
“Shkova më 16 janar, ishin aktivistë të Lëvizjes, isha i panjohur me lëvizjet politike në Kosovë dhe isha i besimit se edhe me rrugën paqësore do të mund të zgjidhej diçka. Jo besim të plotë, por kisha shpresë sepse thosha ky njeri nuk flet kot, si njeri i artit, i letrave (Ibrahim Rugova), thosha se mendja e tij nuk flet kot. Isha i bindur se liria nuk vjen, por se hapi fillestar mund të bëhej”, ka deklaruar ai. “Unë mendoj që Rugova ka pasur gjithmonë rrugën e tij që vetëm me paqe mund të bëhet kjo punë, realiteti ishte ndryshe. Ka ekzistuar një moment kur LDK-ja dhe UÇK-ja si strukturë e armatosur mund të ngjiteshin jo pashmangshëm, por mund të afroheshin shumë”.
Gjersa flet për përvojën e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës, (LKP), kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Bedri Islami, nuk lë anash as të metat që kishte ky bashkim.
Islami ka deklaruar se ndonëse idetë që kishte LPK ishin mjaft të përparuara, të tillë nuk i kishte edhe pjestarët.
“Një natë më erdhi në shtëpi Ali Ahmeti, Fazli Veliu…filluam të bisedonim se ç’është lëvizja…mua duk interesante…Më propozuan të jem anëtar i lëvizjes, u pranova si anëtar i këshillit popullor të Sttutgartit. Vendosëm të mos bëhej publike dhe ishi në atë fazën e procesit të marrjes të të drejtës që qëndrimit, kisha marrë azilin pas 3-4 muajsh, por rregullohesin këto letrat, qëndruam të heshtur. Pas disa kohësh u zgjodha kryetar i Këshillit Popullor të Stuttgartit, u zgjodha nënkryetar i nëndegës në Gjermani…fillova t’i njoh më mirë problemet. Njerëzit e Lëvizjes idealisht kanë qenë atdhetarë, por kanë mbrojtur ide që ishin përtej kapaciteteve të tyre intelektuale. Pra, idetë ishin më të përparuara sesa njerëzit e Lëvizjes. Për shembull, ideja e Bashkimit Kombëtar ishte ide shumë e përparuar. Shikoje tani, nuk flet kush më”, ka deklaruar ai.
E meta tjetër, siç tregon Islami, “ishte se kishin njëfarë nostalgjie për sistemin e Enver Hoxhës”.