Ish-gazetari i “Zërit të Popullit”, njëherit djali i atij që njihet si “Luli i vocërr”, Bedri Islami, rrëfen se si Parlamenti i Shqipërisë kishte mbajtur një seancë enkas për të e që i njëjti, ishte paralajmëruar të mos kthehej në Shqipëri.
Në një intervistë në “Debat Plus” me Ermal Panduri në RTV Dukagjini, Islami ka treguar se qëndrimi në Shqipëri ishte bërë i vështirë. Jo më ndryshe kishte qenë edhe kthimi i tij, veprim për të cilin iu tha të mos e bënte.
“Ka qenë pothuajse e pabesueshme dhe u krijua një frymë shumë e ashpër. Unë isha gazetar i ‘Zërit të Popullit”, vija nga një familje që quhej politikisht e prekur nga im atë, por e lidhur me luftën nga nëna ime, dhe vërtet nuk kam qenë anëtar i parties në asnjë ditë. Asnjëherë, edhe po të donim nuk na pranonte njëri. U ashpërsua më tepër pasi në kongresin e Partisë Socialiste, unë u zgjodha anëtar i udhëheqjes së Partisë Socialiste dhe filloi në Shkodër, sidomos në shtator-tetor të 92-tës u bë i padurueshëm qëndrimi. Vazhdimisht, ndodhën dy raste kur hynin në shtëpi natën me armë dhe kërcënonin “Do heqësh dorë”. Ime shoqe ndonëse ishte në shkallë të lartë kualifikimi, u pushua nga puna, vëllau gjithashtu..ngeli një gjendje e tillë. Kisha qenë disa herë në Gjermani si gazetar, nuk e kisha në mendje që të rrija. Vendosa të rrija disa muaj deri sa të qetësohej situata kur befas në parlamentin e Shqipërisë diskutohet ikja ime dhe bëhet një seancë e veçantë se pse u largua ky njeri. Dhe çuditërisht, Pjetër Arbërori, me të cilin kisha patur njohje empirike jo të përhershme më dërgoi fjalë ‘bën mirë mos të vish’. Edhe amabsada gjermane që ishte në Shqipëri nguli këmbë të mos kthehem sepse nuk garantohej, kishin filluar vrasjet e njerëzve të veçantë, arrestime të gazetarëve…”, ka treguar Islami.
Ndryshimet demokratike, Islamin e kishin gjetur si gazetar të “Zërit të Popullit”, redaksi kjo në të cilën ishte rikthyer përsëri në vitin ’89.
Nga 81 gazetarë sa kishte kjo redaksi, Islami tregon se i kishin mbetur vetëm dhjetë.