Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 2 nëntor i është nënshtruar një operacioni, të cilin e ka bërë në një spital privat.
E për këtë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili ka thënë se është për keqardhje mosbesimi i madh që ky koalicion qeverisës po tregon ndaj institucioneve publike shëndetësore.
“Qindra dhe mijëra qytetarë të Kosovës marrin shërbime shëndetësore çdo ditë në institucionet publike. Rrjedhimisht, fuqizimi dhe mbështetja e tyre duhet të jetë prioritet për secilin zyrtar dhe secilën qeverisje të vendit”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Sipas tij, neglizhenca ndaj sektorit të shëndetësisë prej qeverisë është edhe më “shqetësuese” gjersa ka ngritur shqetësimet e tij se edhe ministria e shëndetësisë ende ka mbetur ndonjë ministër në krye të saj.
“Brenda pak muajve po e presim ministrin e tretë të Shëndetësisë, ndërkaq, po bëhen tashmë një muaj që kur ky sektor është PA ministër”.
Ai ka thënë ndër të tjera se shëndetësia nuk rregullohet me konferenca për media e as me vizita në shërbim të PR-it personal, por vetëm “me investime konkrete, të cilat, fatkeqësisht, ende nuk po i shohim askund”.
Po ashtu edhe Klinika e Kirurgjisë Abdominale ka reaguar lidhur me ndërhyrjen kirurgjike të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në një spital privat në Kosovë.
Në reagimin që ka bërë klinika thuhet se është një injorim ndaj QKUK-së dhe kësaj klinike dhe se ky injorim është i papranueshëm.
“Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë Kolegjiumit të Kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilat udhëheq është e papranueshme për të gjithë”.
Po ashtu edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, një gjë të tillë e ka quajtur shembull të keq, pasi sipas tij presidentja nuk i beson sektorit publik shëndetësor.
“Vetë presidentja nuk i beson sektorit publik të shëndetësisë. Një ndërhyrje të thjeshtë kirurgjike, ajo ka zgjedhur ta bëjë në një klinikë private. Plus provon ta mbajë fshehtë rastin. Fort shembull i keq”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Ndryshe, Zyra e Presidencës ka njoftuar se më dy nëntor presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik.
Sipas njoftimit, kjo është bërë pas rekomandimit të mjekëve dhe se operacioni është realizuar me sukses.
Në njoftim, po ashtu, thuhet se për shkak të këtij intervenimi presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të presidentes së Republikës te kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, dhe se nga tre nëntori Osmani do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e saj në mënyrë të zakonshme.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, thuhet në njoftim.
“Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të presidentes së Republikës te kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Nga 3 nëntori, presidentja do të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’u kthehet angazhimeve publike”, vijon njoftimi.
Zyra e Presidencës ka kërkuar mirëkuptim nga mediat dhe të respektohet privatësia e presidentes Osmani.
Ndryshe, më 19 tetor, presidentja Osmani, gjatë vizitës në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, ka thënë se asgjë nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti i qytetarëve të Kosovës, gjersa ka shtuar se kur vjen puna te buxheti shtetëror duhet të ketë përparësi shëndetësia.
Kirurgët reagojnë ndaj presidentes për ndërhyrjen kirurgjike në spital privat, e quajnë injorim